Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha në Konventën e partisë së saj për Tiranën se sot rifillon aksioni politik i opozitës. Në fjalën e saj, Kryemadhi bëri një krahasim mes vitit 1991 dhe 2019, duke thënë se të dy këto vite kanë një të përbashkët, largimin e rinisë.

Teksa kujtoi eksodin e madh të shqiptarëve më ’91-shin, Kryemadhi tha se “2019 si viti i fatkeqsisë natyrore që goditi Shqipërinë është edhe një nga vitet më të errta keq-qeverisese që kemi kaluar: Shpopullimi solli dhimbjen në familjen shqiptare, dëmtimin e saj, por edhe plakjen të menjëhershme të popullsisë”.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit në Konventën e LSI:
Sot rifillojmë aksionin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim pasi është mbyllur një vit i gjatë dhe i zymtë për shqiptarët, që kulmoi me fatkeqësinë natyrore të 26 Nëntorit, ndërkohë që varfëria ekonomike u thellua më tej, dhe BE tha një tjetër “JO” për hapjen e negociatave.

Ne sot kemi takimin e parë politik organizativ për 2020. Ne të gjithë sa jemi, këtu jemi të bindur e kemi besim se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se çfarë ju është premtuar, e shumë herë më tepër se çfarë ju është ofruar në realitet.

Ne po lëmë pas një vit të vështirë, i cili do të lërë plagë në shpirtin e shqiptarëve. Viti 2019 do të shënohet si viti që 120.000 shqiptarët e braktisën vendin e tyre për tu garantuar shkollim, shëndetësi, siguri dhe ekonomi për fëmijët e tyre, qe nuk i gjetën dot këtu në Shqipëri, e më keq akoma, nuk patën besimin se mund t’i gjenin ndonjëherë.

Po t’i hedhim një sy kalendarit të tranzicionit shqiptar do të shikojmë që Shqipëria është përballur me dy momente tragjike: në 1991 dhe në 2019. Këto dy periudha i bashkon e përbashkëta e zbrasjes së Shqipërisë nga të rinjtë dhe të rejat e saj, nga filizat e rinj më të mirë të cilët do të ishin kontribuesit kryesorë të ndertimit të një vendi për të cilin do të ishin krenarë. Një vend ndërtuar mbi demokracinë, ku sundon e ligji i barabartë për të gjithë, ku secili ka mundësi të barabarta për arsimim, për punësim e biznes, ku shteti i garanton çdo qytetari sigurinë e shendetit, ushqimit dhe të jetës.

Këto dy periudha ngjajnë tashmë si dy pika uji: Në 1991 e gjithë Shqipëria, rinia shkollore e universitare, ajo punëtore e intelektuale, u larguan drejt BE në emigracion per tu rikthyer me besimin “Ta bejme Shqipërinë si gjithë Europa”, pasi përmbysi një sistem të kalbur që ju kishte hequr të drejtën e lirisë, të besimit, të fjalës, të të jetuarit, të shkolluarit, të punësimit, një sistem i mori jetën mijëra shqiptarëve sepse besonin në Zot, pse besonin në liri, pse besonin në vlerat humane, pse besonin tek liria dhe demokracia.

Në 1991 shqiptarët u larguan me besimin per tu kthyer më pas, në një Shqipëri të lirë, demokratike e Evropiane. Sot, pas gati 30 vitesh, kemi përsëri një Shqipëri që i largohen filizat, por tashmë me trishtimin se përsëri vendi ka një parlament monist, se është kthyer çensura dhe hequr e drejta e fjalës, se është kthyer shtetëzimi dhe grabitja e pronave private në përfitim të Partisë Shtet dhe bandave të saj kriminale.

Në eksodin e sotëm, ai që ishte dikur “Blloku i udhëheqjes” është zëvendësuar me Grupimin e Rilindjes, që janë pjesë apo përfaqësues të bandave kriminale që blejnë pushtetin me paratë e pista, që më pas pushteti tu shërbejë vetëm atyre.

2019 si viti i fatkeqsisë natyrore që goditi Shqipërinë është edhe një nga vitet më të errta keq-qeverisese që kemi kaluar: Shpopullimi solli dhimbjen në familjen shqiptare, dëmtimin e saj, por edhe plakjen të menjëhershme të popullsisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb