Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se në Uashington do të ketë presione të mëdha si për Serbinë ashtu edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa shtoi se ultimatumet nuk janë zgjedhja më e mirë.

Në Shtëpinë e Bardhë sot pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Gjithmonë është folur për formimin e një kornize ekonomike, gjithçka që mund t’i përkiste normalizimit të marrëdhënieve, por edhe jetës së përditshme të njerëzve, infrastrukturës, hekurudhës, vendosjes së lirisë së lëvizjes, mallrave, kapitalit. Nëse dikush mendon se të bëjë presion mbi Serbinë përmes disa agjendave të fshehura, unë jam i bindur se presidenti Vuçiç do të përgjigjet në mënyrën që është në interesin tonë kombëtar dhe shtetëror,”, tha Daçiç.

Ai shtoi se marrëveshja politike nuk është e përgatitur. “Të gjithë do të donin ta zgjidhnin atë çështje, por kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me kompromis. Unë e di sesi funksionon e gjitha, presioni do të jetë i madh mbi shtetin dhe mbi këtë njeri (Vuçiç), me shantazhe, kërcënime për të ardhmen e tij, por unë e di se si reagon Vuçiçi ndaj kësaj, kështu që unë nuk këshilloj askënd t’i bëjë ultimatumin Serbisë ose Vuçiçit. Kjo nuk është mënyra për të zgjidhur problemin”, tha Daçiç.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: