VJENE – Liderët e Ballkanit Perëndimor takohen sot në Vjenë në forumin e dytë të Samitit të Vjenës, i cili organizohet nën kujdesin e kancelarit austriak Faymann dhe asaj gjermane Merkel. Duke folur për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin e Vjenës, kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati është shprehur se, Shqipëria në këtë samit do të kërkojë mbështetje në katër fusha kryesore: në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimimi e edukimi, dhe në fund turizmi. Gjithashtu, sipas tij, pritet që në Tiranë të jetë selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku do të synohet përfshirja e gjithë vendeve të rajonit në këtë fond, me qëllim dhënien e ndihmës në hartimin dhe në financimin e projekteve. Në Samitin e Vjenës pritet të miratohet platforma për të inkurajuar dhe mbështetur mobilitetin e të rinjve, programet e shkëmbimit dhe të trajnimeve profesionale, duke përfshirë forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fusha si siguria energjetike, transporti, infrastruktura dhe turizmi. Samiti do të nisë me firmosjen e një marrëveshjeje mes Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës për kufirin, ndërsa gjatë pasdites do të organizohet edhe forumi i shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor.
Axhenda e diskutimeve në Samitin e Vjenës
1. Sipas axhendës së Samitit të Vjenës, më 26 gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.
2. Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës.
3. Dita e parë e samitit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve, që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake, ekipin e së “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij, Arben Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova Hashim Thaçi, nga Maqedonia kryeministri Gruevski dhe nga Serbia kryeministri Vuçiç. Ndeshjen do ta arbitrojë Komisioneri Hahn.
4. Dita e dytë e samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, Komisioneri i Bankës Evropiane të Investimeve, Hoyer, Komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
5. Më pas, ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tri çështje: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogun fetar, përfshi anti-ekstremizmin.
6. Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner.
7. Në përfundim të samitit, kancelari austriak Faymann, Kancelarja gjermane Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: