Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, uron mësuesit për “7 Marsin”. Në një postim në “Facebook”, Shahini shkruan se këtë 7 mars janë mbledhur te “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” për të përkujtuar sakrificën e themeluesve të shkollës shqipe.

Sipas ministres, “Sot, sfidat e arsimit shqip janë të ndryshme nga çfarë kanë qenë ato të themeluesve të shkollës shqipe, por nuk janë më të vogla”, ndërsa publikon disa foto me mësues që kanë shërbyer ndër vitenë arsimin shqiptarë dhe që sot janë në pension.

Urimi i Shahinit:

Të dashur mësues, Gëzuar 7 Marsin!

Këtë vit u mblodhëm tek “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” dhe përkujtuam sakrificën e themeluesve të shkollës shqipe, por edhe të gjithë mësuesve që erdhën pas tyre, për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën e kulturën tonë. Shprehëm mirënjohjen tonë për mësuesit pensionistë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa ata ndanë me ne këshilla të vyera për rrugën që kemi përpara.

Sot, sfidat e arsimit shqip janë të ndryshme nga çfarë kanë qenë ato të themeluesve të shkollës shqipe, por nuk janë më të vogla. Na jep kurajo fakti që rezultatet arsimore po përmirësohen me shpejtësinë më të madhe nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në testin “PISA”. Kjo, falë punës së palodhur të mësuesve tanë.

Faleminderit nga zemra!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb