SHKUP– Para 17 viteve u nënshkrua Marrëveshje e Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor në Republikën e Maqedonisë në vitin 2001.

Negociatat filluan në Shkup, e pastaj vazhduan në Ohër, ku përfunduan me realizimin e dokumentit më 10 gusht. Tre ditë më vonë, më 13 gusht të vitit 2001, në rezidencën presidenciale në Vodno të Shkupit, Marrëveshjen kornizë e nënshkruan presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski, dhe liderët e PDSH-së, Arbën Xhaferi, PPD-së Imer Imeri dhe i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Në cilësi të garantuesve, dukomentin, i cili është i njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, e kanë nëshkruar edhe përfaqësuesit specialë të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.

Marrëveshja e Ohrit e ka përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare dhe nga pjesa më e madhe e partive nga blloku politik shqiptar dhe maqedonas, si kornizë e vetme për zhvillim të shtetit.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime dhe plotësime të ligjeve janë miratuar viteve të kaluara nga implementimi Marrëveshjes së Ohrit, prej të cilave pjesa më e madhe – 59 janë ligje për mosdiskrimimin dhe përfaqësiumin e drejtë, 40 janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në mars të këtij viti me 64 vota “për”, asnjë kundër dhe të përmbajtur e miratoi Ligjin për gjuhët.

Me këtë ligj parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizatat, komisionet, personat juridikë, të cilët kanë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucioneve tjera, gjuhë zyrtare, krahas asaj maqedone dhe alfabetit të saj, të jetë edhe gjuha që e flasin të paktën 20 për qind të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetit të tij, gjuha shqipe.

Ligji ende nuk është shpallur më Gazetë zyrtare

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb