Nga Varrezat e Dëshmorëve, ku kryen homazhe në nder të të rënëve në luftë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli për lirinë dhe pavarësinë, duke thënë se ato duhen mbrojtur çdo ditë, sepse sipas tij, në kohët e reja cenohen në forma të reja.

“Liria dhe pavarësia kanë ardhur përmes një lufte të shenjtë, e cila duhet të mbrohet. Liria dhe pavarësia duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen edhe në forma të reja”, tha Meta.

Më tej, Presindeti u pyet nga gazetarët lidhur me vendimin që pritet të japë sot Këshilli i Lartë Gjyqësor për Ardian Dvoranin, të cilit i ka mbaruar mandati si kryetar i KED dhe anëtar i Gjykatës së Lartë. Presidenti Meta nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt çëështjen, por dha një mesazh të koduar, teksa u shpreh se kjo është një ditë për t’u angazhuar që Shqipëria e lirë dhe demokratike të realizohet plotësisht.

“Sot është Dita e Dëshmorëve, dita e nderimit tonë pë rata që kanë dhënë jetën dhe gjithcka të shenjtë për vendin tonë, kështu që është një ditë për të shprehur jo vetëm përulësinë ndaj veprës së tyre, por edhe për të përshëndetur të gjithë familjarët e tyre, pasardhësit e tyre, që kontribuuan gjatë asaj lufte dhe sakrifice të jashtëzakonshme. Është edhe një ditë për t’u angazhuar që Shqipëria e lirë dhe demokratike, për të cilën ata dhanë jetën, të realizohet plotësisht”, deklaroi Presidenti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb