Me zgjedhjet e ardhshme në horizont, partitë politike shqiptare duhet të artikulojnë qartë vizionin e tyre për një politikë të jashtme që reflekton sfidat dhe mundësitë e reja në rajon. Në këtë kontekst, është jetike që politika e jashtme shqiptare të udhëhiqet nga një parim i qartë dhe i palëkundur: mbrojtja e sovranitetit dhe prosperitetit të Kosovës.
Është thelbësore që, duke parë përpara drejt dekadës së ardhshme, Tirana të vendosë sigurinë, njohjen diplomatike dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës në qendër të strategjisë së saj rajonale dhe ndërkombëtare. Jo vetëm që kjo përputhet me interesin kombëtar të Shqipërisë, por gjithashtu garanton stabilitetin në rajon.
Ndërkohë, ndërsa sovraniteti i Kosovës duhet të jetë në qendër të politikës së jashtme të Shqipërisë, ai nuk duhet të përdoret për përfitime të ngushta politike nga partitë shqiptare. Instrumentalizimi i Kosovës për agjenda politike të brendshme dëmton legjitimitetin e saj në skenën globale dhe minon përpjekjet diplomatike.
Udhëheqësit politikë shqiptarë duhet ta trajtojnë Kosovën si një çështje kombëtare dhe jo si një mjet për interesa afatshkurtra politike, duke siguruar që stabiliteti dhe prosperiteti i saj të mbeten përmbi ndasitë partiake.
E tashmja dhe e ardhmja e sistemit ndërkombëtar janë nën presion të vazhdueshëm, të ndikuara nga rivalitetet gjeopolitike që vetëm sa vijnë dhe intensifikohen. Në vitet në vazhdim, zhvillimet globale do të reflektojnë gjithnjë e më shumë turbullirat e fundvitit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, të shoqëruara me konkurrencë të shtuar midis fuqive të mëdha dhe erozionin e normave të konsoliduara dhe të së drejtës ndërkombëtare. Për kombin shqiptar këto ndryshime paraqesin një sfidë sikurse edhe një mundësi për të avancuar interesat e tij në skenën botërore.
Për të mbijetuar, dhe për më të tepër, për të qënë të suksesshëm gjatë këtyre kohërave të trazuara—ku shtetet e vogla rrezikojnë të bëhen viktima të ambicieve të fuqive më të mëdha—Shqipëria duhet të ndjekë një strategji që garanton sigurinë dhe unitetin e kombit shqiptar. Ndërsa bashkimi formal mund të mbetet një qëllim i largët, një përafrim de facto i interesave politike, ekonomike dhe të sigurisë i faktorit shqiptar në rajon është i nevojshëm dhe i arritshëm.
Ky proces fillon me një rishikim të politikës së jashtme të Shqipërisë, duke e bërë mbështetjen e pa luhatshme të sovranitetit, sigurisë dhe statusit ndërkombëtar të Kosovës prioritetin e saj kryesor strategjik. Kosova nuk është thjesht një shtet fqinj; ajo është e pandashme nga Shqipëria përmes historisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar. Lidhjet e përbashkëta kulturore dhe historike midis shqiptarëve në të dyja shtetet e bëjnë fatin e Kosovës një çështje të një rëndësie kombëtare madhore.
Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është përballur me sfida të vazhdueshme nga refuzimi i Serbisë për të njohur sovranitetin e saj, ndërhyrjet politike dhe presionet ekonomike, përfshirë këtu fatkeqësisht edhe nga mbështetësit e saj ndërkombëtarë. Shqipëria duhet t’u kundërvihet këtyre sfidave duke adoptuar një qasje proaktive dhe strategjike për pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës. Kjo përfshin lobimin për një njohje më të gjerë diplomatike, mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe forcimin e lidhjeve ekonomike me Prishtinën për të garantuar stabilitetin e saj afatgjatë.
E ardhmja e Kosovës është gjithnjë e më e cenueshme për shkak të dinamikave të ndryshueshme të rendit global. Administrata Trump ka sinjalizuar gatishmërinë për të negociuar një marrëveshje për Ukrainën me Rusinë, duke ngritur shqetësime se një marrëveshje e tillë mund të krijojë një precedent që prek statusin e Kosovës. Më shqetësuese akoma, duke marrë parasysh lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, ekziston rreziku real që integriteti territorial i Kosovës—veçanërisht në veri—të përdoret si një objekt shkëmbimi në negociatat më të gjera gjeopolitike mes SHBA-së dhe Rusisë të cilat priten të thellohen në javët e ardhshme.
Shqipëria duhet të mbetet vigjilente dhe të angazhojë aktivisht aleatët e saj për të siguruar që sovraniteti i Kosovës të mos komprometohet nga marrëveshje të jashtme. Një qasje pasive rrezikon ta lërë Kosovën viktimë të lojërave të fuqive të mëdha, një rezultat që do të kishte pasoja të rënda si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.
Një nga përparësitë kryesore të politikës së jashtme shqiptare duhet të jetë sigurimi i njohjeve të reja ndërkombëtare për Kosovën. Megjithëse mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e saj, disa lojtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë, përfshirë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ende nuk e kanë bërë këtë.
Shqipëria duhet të shfrytëzojë kanalet e saj diplomatike, veçanërisht brenda BE-së dhe NATO-s, për të shtyrë përpara integrimin e Kosovës në këto institucione.
Qeveria shqiptare duhet të angazhohet më aktivisht me vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja dhe Greqia, duke identifikuar stimuj diplomatikë dhe ekonomikë që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimit të tyre. Megjithatë, duke pranuar edhe kufizimet e ndikimit të saj, Tirana mund të jetë më e suksesshme duke punuar ngushtë me aleatët kryesorë—si Shtetet e Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar—të cilët kanë më shumë peshë në negociatat ndërkombëtare.
Përtej përpjekjeve diplomatike, Shqipëria duhet të vazhdojë të nxisë një integrim ekonomik më të madh me Kosovën. Bashkëpunimi në tregti, infrastrukturë dhe fushën e energjitikës duhet të jetë përparësi për të reduktuar varësinë e Kosovës nga aktorët kundërshtarë të jashtëm dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e saj ekonomike. Lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis dy vendeve e bën Kosovën më pak të prekshme ndaj presioneve ekonomike të jashtme.
Duke pasur parasysh vazhdimin e provokimeve dhe qëndrimeve kërcënuese të Serbisë, Shqipëria duhet të thellojë bashkëpunimin e saj në fushën e sigurisë me Kosovën. Stërvitjet ushtarake të përbashkëta, marrëveshjet për shkëmbimin e inteligjencës dhe partneritetet strategjike të mbrojtjes do të sigurojnë që Kosova të jetë e përgatitur për të parandaluar çdo kërcënim ndaj sovranitetit të saj. Pavarësisht ndasive brenda NATO-s për statusin e Kosovës, Shqipëria duhet të punojë me vendet anëtare të NATO-s për të forcuar kapacitetet e sigurisë së Kosovës dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcave të NATO-s të vendosura në rajon.
Sigurisht, për të përmbushur këtë mision historik, Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma urgjente të brendshme të përqëndruara në përmirësimin e gatishmërisë ushtarake, krijimin e aleancave të reja të sigurisë dhe vazhdimësinë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Këtu përfshihen modernizimi i kapaciteteve të mbrojtjes, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen për të përmbushur standardet e NATO-s dhe thellimi i bashkëpunimit me partnerë strategjikë.
Për më tepër, Shqipëria duhet të forcojë institucionet e saj, të përmirësojë qeverisjen qëndore dhe vendore dhe të nxisë një ekonomi më konkurruese për t’u pozicionuar si një lider i besueshëm rajonal. Vetëm përmes këtyre reformave gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të mbështesë në mënyrë efektive sovranitetin e Kosovës duke siguruar njëkohësisht stabilitetin dhe ndikimin e faktorit shqiptar në Ballkan.
Në dekadën e ardhshme, Shqipëria ka një përgjegjësi historike për të udhëhequr përpjekjet në sigurimin e vendit të duhur të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe për të rritur peshën e faktorit shqiptar në rajon. Këtu nuk bëhet thjesht fjalë për një çështje të krenarisë kombëtare, por për një domosdoshmëri strategjike. Një Kosovë sovrane, e qëndrueshme dhe e zhvilluar ekonomikisht është garancia më e mirë për sigurinë dhe ndikimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Evropën Juglindore. Ky nuk duhet të jetë thjesht një objektiv i politikës së jashtme—është një imperativ kombëtar.
Medlir Mema është Drejtues i Programit për Inteligjencën Artificiale dhe Qeverisjen Globale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel.
(BalkanWeb)