Nga:Vjollca Kongjoni

Ndonëse Shqipëria ka kaluar klasifikimin nga B në B+ nga Standard&Poor’s, Agjencia e vlerësimit të kreditit e vë theksin tek dobësitë fiskale të vitti 2015. Kalimi në kategorinë B+ sipas raportit më të fundit të agjencisë lidhet me përmirësimin e performancës fiskale të qeverisë lidhur me mbajtjen nën kontroll të borxhit publik.

Sipas agjencisë amerikane, deficiti fiskal i Shqipërisë është në trajektoren rënëse, gjë që do të çojë në një ulje të borxhit të qeverisë në katër vitet e ardhshme.
Standard & Poor’s pret që borxhi i përgjithshëm i qeverisë të bjerë nën 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vetëm në 2019-ën nga rreth 70% të PBB në 2015.

Por Standard & Poor’s tërheq vëmendjen se rritja e taksave gjatë vitit të kaluar ka ndikuar në shtimin e informalitetit në ekonomi. Sipas raportit “Disa nga masat e taksave të zbatuara nga qeveria aktuale që kur mori detyrën në vitin 2013, kanë dhënë efektin e padëshiruar të rritjes më tej të informalitetit dhe si rrjedhojë kanë ndikuar në performancën e dobët të të ardhurave.

Ne vërejmë se mbledhja e taksave në Shqipëri është e sfiduar nga evazioni dhe mangësitë administrative; në nivelin e 26% të PBB-së, të ardhurat janë shumë më të ulëta se në Mal të Zi, thuhet në raport. Megjithatë agjencia beson se masat për të përmirësuar mbledhjen e taksave do të ndihmojnë në një përmirësim në financat e qeverisë, edhe pse gradualisht”.

Raporti thekson gjithashtu se nëse do të ketë një përkeqësim në financat e qeverisë, ashtu si ndodhi në vitin 2013, mund të ulë renditjen. Përmbushja e kritereve të programit me FMN-në është gjithashtu një element i rëndësishëm që Standard&Poo’s do të ketë në konsideratë.
(da.xha/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb