FRANCE– Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka zhvilluar një takim me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pak para zhvillimit të seancës gjyqësore në Colmar të Francës në ngarkim të Ramush Haradinajt.

Gjatë takimit një orë para zhvillimit të seancës, Kreshnik Spahiu u shpreh se opozita shqiptare mbështet lirimin e Ramush Haradinajt të cilin e cilësoi si hero të kombit shqiptar.

“Opozita shqiptare mbështet lirimin e Ramush Haradinajt. Duam drejtësi për heroin e kombit shqiptar”- tha Spahiu, i cili do shoqërojë Ramush Haradinajn në gjykatën franceze.

Gjykata në Colmar të Francës pritet të japë sot vendimin përfundimtar për lirimin ose ekstradimin në Serbi të Ramush Haradinajt.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb