KORÇË

Një ditë pas zgjedhjes së tij si drejtues politik i qarkut të Korçës, Edmond Spaho është prezantuar sot me strukturat e Partisë Demokratike në këtë qark. Në një prononcim për mediat Spaho theksoi se propozimi i tij në këtë detyrë ka qenë vendim kolegjial, i vendosur nga vetë kryedemokrati Lulzim Basha.

“Vendosja ime në krye të qarkut ka qenë vendim kolegjial, i vendosur nga zoti Basha dhe diskutuar me strukturat vendore. Është kënaqësi të rikthehem në Korçë. Do të dalim forca e parë në zgjedhjet qendrore të 25 prillit. Duhet të heqim këtë të keqe (qeverinë) nga ky vend.”, tha Spaho për gazetaren e ‘BalkanWeb’ Lorena Kodra.

Ndërkohë, ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji gjatë takimit me strukturat në Korçë shprehu bindjen se demokratët do të luftojnë për 6-7 mandate.

“Falenderoj çdo qytetar, çdo votues për mbeshtetjen masive që më ka dhënë, falenderoj demokratët që më kanë votuar si më të preferuarin dhe me te votuarin nga deputetët dhe i përulem sakrificës dhe kontributit të tyre që bënë të mundur që në një acar politik, thuajse me gjendje lufte të bënin të mundur që Korça të ishte i vetmi qark me rritje për Partinë Demokratike në vitin 2017.

Z. Spaho sjell edhe një kapacitet të ri, një element me shumë rëndësi për PD në qarkun e Korcës, që qarku të ketë 6 mandate për PD dhe do luftohet për mandatin e shtatë. Nuk ka asnjë diskutim që emërimet e sforcuara që bën Edi Rama për t’i dhënë pilula drejtuesve të vet politikë tregojnë jo vetëm dëshpërimin e tyre, pamundësinë për t’u përballur me gjithë premtimet që i kanë bërë Korçës, por edhe me gjithë abuzimin që ka bërë duke i kthyer, qytetin në një çiflig personal, për 2-3 persona.

Si drejtuesi më i lartë politik ndihem borxhli por dhe krenar për secilin. Siç e dini telefoni im është 24 orë hapur, disponibiliteti im në çdo moment dhe gatishmëria ime për ndihmë absolute në shërbim të fitores së demokratëve. I uroj suksese Edmond Spahos që rikthehet në Korçë dhe njihet shume mire prej jush.”- u shpreh Salianji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb