TIRANE– Në prag të zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike ka akuzuar kandidatin e mazhorancës për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, se po tenton të manipulojë zgjedhjet e 21 qershorit. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Edmond Spaho ka denoncuar rritjen e numrit të personave të regjistruar gjatë muajve të fundit në regjistrin civil të Durrësit, duke u shtuar si banorë të këtij qyteti. Duke e cilësuar këtë një “skandal në prag të zgjedhjeve”, Spaho thotë se me rritjen fiktive të numrit të zgjedhësve, “Dako po tenton të manipulojë zgjedhjet”.

“PD prej disa muajsh po ndjek sesi Vangjush Dako po përgatit skema për të manipuluar vullnetin e zgjedhësve durrsakë. Dako iu ka ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin civil disa banorëve nga zona të ndryshme, duke i regjistruar në Durrës. Nga qershori 2013 deri në janar 2015 ka patur një numër prej 100-200 personash që kanë hyrë në Durrës e janë regjistruar. Por që kur Dako shpalli kandidaturën për zgjedhjet lokale kjo shifër është rritur dukshëm. Në Mars-prill janë regjistruar 2702 persona në Durrës, të ardhur nga Vora, Preza, Kavaja, etj”, tha Edmond Spaho.

Ndërkaq, deputeti demokrat tha se Partia Demokratike “është duke përgatitur një kallëzim penal për organizatorët dhe zbatuesit e kësaj skeme manipulimi me zgjedhjet lokale”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb