Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, ka dërguar për gjykim të “fortin e Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali, dy vëllezërit Enver dhe Ermond Jamaku, Sokol Xhurën si dhe 7 të pandehur të tjerë.

Cukali akuzohet se është porositës i atentatit me minë në automjet të Gjon Menës, por që dështoi. Ai dyshohet se organizoi gjithë skemën, ndërkohë që u zbulua nga një kushëri i cili do të ishte autor.

Po kush ishte personi që i tradhtoi Cukalin dhe co, duke bërë që policia t’i kapte me arsenal armësh një vit më parë?
Banda kriminale, që kishte ngritur 18 baza armatimi me snajpera, anti-tanke, kallashnikovë dhe armë të tjera luftarake, u fundos nga njëri anëtar.

Bëhet fjalë për Enver Jamakun, i cili u arrestua më herët si pjesë e kësaj bande. Jamaku u arrestua për sulmin me eksploziv ndaj biznesmenit Gjon Mena, në Kamëz, ngjarje për të cilën u arrestua si porositës edhe Gjergj Cukali.

Pas arrestimit, Jamaku ka vendosur të bashkëpunojë me hetuesit, duke zbuluar gjithë anëtarët e bandës kriminale, që vepronte në Tiranë. Ndërkohë, Enver Jamaku, së bashku me dy anëtarë tjerë të bandës, Sokol Gjurën dhe Edmond Jamakun, janë autorë të sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, më 10 shtator të vitit 2017.

Pesë ditë pas sulmit ndaj avokatit, më 15 shtator 2017, tre autorët i kanë hyrë në banesë shtetasit Edmond Saraçi, ku kanë vendosur armën e zjarrit, një garantë dhe pak heroinë, dhe kanë sinjalizuar policinë në rrugë anonime. Kështu, policia arrestoi në atë kohë si autor të sulmit ndaj avokatit shtetasin Edmond Saraçi.

Ndërkohë, SPAK thotë se për mungesë provash, është kërkuar pushimi i hetimeve ndaj personave nën hetim Festim Mustafa dhe Klodian Kulla.

DËSHMIA
Enver Jamaku ka deklaruar se me Cukalin është njohur 5 vjet më parë kur i bleu një automjet. “Kur bleva mjetin dhe e telefonova, ai më tha se ishte Gjergj Cukali dhe unë e njihja përmes mediave sepse kishte probleme me drejtësinë. Më pas jemi takuar herë pas herë përfshirë dhe në varrimin e një personazhi të njohur të botës së krimit. Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri ‘Velo’ dhe ktheva kokën. Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali. Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje”, thotë Enver Jamaku në dëshminë e tij.

Bëhet fjalë për dhjetorin e 2020 thotë Jamaku, i cili më pas shpjegon se ka pasur disa herë kontakte me Gjergj Cukalin.

Ai thotë se Cukali e mori në automjetin e tij dhe shkuan pranë banesës së shënjestrës së atentatit. “Pashë që ishte një djalë rreth 35-40 vjeç. Ishte rreth 185 cm i gjatë dhe kishte flokë të rëna dhe kishte karakteristike mjekrën e dalë. Për këtë arsye vendosa të kërkoja ndihmën e kushëririt tim, Ermondit për ta finalizuar me sukses punën”.

Ai thotë se Cukali erdhi me persona të tjerë ta takonte, të cilët nuk i identifikon dot, i dha minën me telekomandë, para rreth 500 euro dhe celularë për të bërë shpërthimin e minës. Ai tregon dhe mënyrën se si ka vepruar për të vendosur minën me celular.

Enver Jamaku pretendon që në dhjetor 2020, Gjergj Cukali i ka kërkuar dhe e ka porositur që për një shumë 30 mijë euro ai duhet të vinte në automjetin e Gjon Menës minën me telekomandë. Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij Ermondit. “Nëpërmjet rrjeteve sociale gjeta një automjet dhe e bleva për 800 mijë lekë të vjetra, në zonën e Kasharit dhe më pas kam lidhur një kontratë tek noteri në zonën e Astir-it. Këtë automjet do e përdorja për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit dhe më pas do e shisja. Do e mbaja deri sa të kryeja atentatin dhe më pas do e dërgoja në zonën e Brarit”, dëshmon më tej Enver Jamaku. Ai ka lëvizur në gjithë Tiranën. “Fillimisht nuk arritëm ta vinim minën me celular, disa herë i kërkova Ermondit të shkonte atje. Ai shkoi rreth 7-8 herë gjatë ditës, por nuk arriti ta vinte sepse kishte lëvizje dhe mund të pikasej nga kamerat e sigurisë. Në një moment Gjergj Cukali më telefoni dhe më kërcënoi. Më tha që nëse nuk e vendos brenda natës së sotme do t’i kesh punët keq. Për këtë arsye duke qenë se janë në fuqi dhe rregullat e karantinës, vendosëm të kalonim në periferi të Tiranës, në rrugë dytësore, të pashtruara që të mbërrinim tek banesa e Menës. Kur mbërritëm atje, kemi qëndruar nga ora 12 e natës deri në orën 5 të mëngjesit. Ermondi shkoi dhe e vuri minën me celular dhe në momentin që do lëvizte shënjestra duhet ta shpërthenim, që Mena të ndërronte jetë”, ka deklaruar më tej Enver Jamaku

Nga të dhënat ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe për këtë arsye nuk ka gjetur vdekjen Gjon Mena.

“Në momentin që ai doli dhe makina po lëvizte, unë i kam rënë ziles së celularit që më kishte dorëzuar Gjergj Cukali dhe pamë që po dilte tym dhe u ndje shpërthimi. Më pas jemi larguar dhe kemi shkuar në periferi të Tiranës ku do të linim automjetin”, ka thënë ai.

SI U ZBULUA GRUPI KRIMINAL
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se vetëm një kamera sigurie ka qenë prova më e fortë për ta çuar grupin e hetimit drejt autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. “Në fshatin Ferraj, një kamerë sigurie ka fiksuar një automjet ‘Ford Fiesta’ që Jamaku do e përdorte për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit. Nga ky automjet është gjetur pronari i automjetit, i cili ka thënë se e kishte lënë në një servis për ta shitur dhe më pas pronari i servisit e kishte kontaktuar për ta shitur.

Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Jamaku thotë se Cukali e ka kërcënuar se nuk e ka çuar deri në fund punën dhe nuk i ka dhënë 30 mijë euro po 3 mijë. Jamaku thotë se ia ka dhënë paratë kushëririt të tij Ermond Jamakut, të cilit i kishte premtuar 5 mijë euro. Nga ky automjet Enver Jamaku ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit.

Cukali nuk konsiderohet si personi që ka interes të drejtpërdrejt për vrasjen e Gjon Menës sepse nuk rezulton të ketë njohje të mëparshme apo shkak që ta vriste. Por prokuroria dhe policia ka dyshime se Cukali është paguar persona të tjerë për të eliminuar Gjon Menën dhe më pas ka kontaktuar kushërinjtë Jamaku për të realizuar atentatin që dështoi”, tha Lala.

Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.52 të regjistruar në datën 10.02.2021, ka dërguar per gjykim kërkesën, kundër të pandehurve:

  1. Gjergji Cukalii akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Gj. M., ndodhur në datë 09.02.2021, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Gjergj Cukali, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupit të Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  1. Enver Jamakui akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
  1. “Vrasjes me paramendim” për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Gj. M., ndodhur në datë 09.02.2021, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Gjergj Cukali, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupit të Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  2. “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë, për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. B., datë 10.2019, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grupi i Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  3. “Kanosjes së gjyqtarit”, të datës 09.2017, ku është qëlluar me armë zjarri automjeti tip Mercedes Benz ML, në përdorim të shtetasit P. P., në bashkëpunim me të pandehurit Sokol Xhura dhe Ermond Jamaku, parashikuar nga nenit 317, 25 të Kodit Penal.
  4. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, lidhur me ngjarjen e datës 15.09.2017, në për futjen e sendeve të kundërligjshme (arma pistoletë, lënda narkotike-heroinë, kallëpi i tritolit dhe granata) në banesën e shtetasit E. S., në bashkëpunim me të pandehurit Sokol Xhura dhe Ermond Jamaku, të parashikuara nga nenet 278/1, 25 dhe 283/2 të Kodit Penal.
  5. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për sigurimin, magazinimin, modifikimin dhe rregullimin me qëllim shitjen, kundrejt fitimit të armëve dhe pjesëve të tyre dhe gjetjes së tyre në sasi mjaft të mëdha në ambjentet në zotërim të të pandehurve Sokol Xhura dhe Akil Kulla, sipas paragrafëve 6, 7 dhe 8 të nenit 278, të kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të Struktuar Kriminal”, me të pandehurit Sokol Xhura dhe Akil Kulla, të parashikuara nga nenet 278/6, 278/7, 278/8, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
  1. Ermond Jamaku, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
  1. “Vrasjes me paramendim” për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Gj. M., ndodhur në datë 09.02.2021, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Gjergj Cukali, Enver Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupit të Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  2. “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë, për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. B., datë 10.2019, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Enver Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grupi i Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  3. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, lidhur me ngjarjen e datës 15.09.2017, në për futjen e sendeve të kundërligjshme (arma pistoletë, lënda narkotike-heroinë, kallëpi i tritolit dhe granata) në banesën e shtetasit E. S., në bashkëpunim me të pandehurit Sokol Xhura dhe Enver Jamaku parashikuara nga nenet 278/1, 25 dhe 283/2 të Kodit Penal.
  1. Blendi Dedai akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë, për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. B., datë 10.2019, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Enver Jamaku, Flor Abazi, Paris Prenga, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grupit të Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  1. Paris (Bledar) Prengai akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë, për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. B., datë 10.2019, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të hetuarit Blendi Deda, Flor Abazi, Enver Jamaku, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grupit të Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  2. Flor Abazi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme :
  1. “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë, për interes të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. B., datë 10.2019, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” me të pandehurit Blendi Deda, Paris (Bledar) Prenga, Enver Jamaku, Ermond Jamaku; “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grupit të Strukturuar Kriminal”, vepra penale të parashikuara nga nenet 78/2, 22, 28/4,152, 278/1, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
  2. “Prodhimit dhe mbatjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, për sasinë prej 7,641gr lëndë narkotike kokainë.
  3. “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal, për mbajtjen e shkopit metalik, i cili plotëson kushtet e armës së ftohtë, goditëse dërmuese pa teh.
  4. “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në banesë, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, për mbajtjen pa leje të 16 fishekëve 9mm, të cilët janë në gjëndje të rregullt teknike.
  5. Sokol Xhurai akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
  1. “Kanosjes së gjyqtarit”, të datës 09.2017, ku është qëlluar me armë zjarri automjeti tip Mercedes Benz ML, në përdorim të shtetasit P. P., në bashkëpunim me të pandehurit Enver dhe Ermond Jamaku, parashikuar nga nenit 317, 25 të Kodit Penal.
  2. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, lidhur me ngjarjen e datës 15.09.2017, për futjen e sendeve të kundërligjshme (arma pistoletë, lënda narkotike-heroinë, kallëpi i tritolit dhe granata) në banesën e shtetasit E. S., në bashkëpunim me të pandehurit Enver dhe Ermond Jamaku parashikuara nga nenet 278/1, 25 dhe 283/2 të Kodit Penal.
  3. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për sigurimin, magazinimin, modifikimin dhe rregullimin me qëllim shitjen, kundrejt fitimit të armëve dhe pjesëve të tyre dhe gjetjes së tyre në sasi mjaft të mëdha në ambjentet në zotërim të tij dhe të Akil Kulla, sipas paragrafëve 6, 7 dhe 8 të nenit 278, të kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të Struktuar Kriminal”, me të pandehurit Enver Jamaku, Akil Kulla, të parashikuara nga nenet 278/6, 278/7, 278/8, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
  4. “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal, për mbajtjen e shkopit metalik, i cili plotëson kushtet e armës së ftohtë, goditëse dërmuese pa teh.
  1. Akil Kulla, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
  1. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për sigurimin, magazinimin, modifikimin dhe rregullimin me qëllim shitjen, kundrejt fitimit të armëve dhe pjesëve të tyre dhe gjetjes së tyre në sasi mjaft të mëdha në ambjentet në zotërim të tij dhe të pandehurit Sokol Xhura, sipas paragrafëve 6, 7 dhe 8 të nenit 278, të kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të Struktuar Kriminal”, me të pandehurit Enver Jamaku dhe Sokol Xhura, të parashikuara nga nenet 278/6, 278/7, 278/8, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
  2. “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal, për mbajtjen e dy thikave të cilat plotësojnë kushtet e armëve së ftohta, prerëse me tel.
  1. Algert Hysai akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për mbajtje të municionit dhe armëve në banesë, të parashikuara nga neni 278/3 dhe 4 të Kodit Penal.
  1. Arben Sufai akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në banesë dhe për faktin e modifikimit të pjesëve në zotërim të tij, të parashikuara nga neni 278/4, 8 të Kodit Penal.
  1. Bujar Jaupi, i akzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
  1. “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, sipas paragrafit 4 të nenit 278, të K.Penal
  2. “Prodhimit, mbajtjes, blerjes apo shitjes pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal, për mbajtjen e thikave artizanale, të cilat plotësojnë kushtet e armës së ftohtë, me teh.
  1. Petrit Sherai akzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
  1. “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të municionit në banesë, të parashikuara nga neni 278/3 të K.Penal.
  2. “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 279/1 i Kodit Penal, për mbajtjen e shkopit metalik, i cili plotëson kushtet e armës së ftohtë, goditëse dërmuese pa teh.

Ndërkohë për mungesë provash është kërkuar pushimi i hetimeve ndaj personave nën hetim Festim Mustafa dhe Klodian Kulla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: