Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë një deklarate në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, ka vlerësuar punën e SPAK, por ka ngritur shqetësimin për funksionimin e sistemit të drejtësisë në tërësi.
“Shumë mirë që e kemi SPAK-un, dhe është për t’u vlerësuar që ka dhënë goditje ndaj pandëshkueshmërisë. Duhet ta mbështesim edhe për pjesët që ngjallin debat,” u shpreh Idrizi.
Megjithatë, ai vuri theksin te mungesa e efikasitetit për mijëra qytetarë që presin zgjidhje nga gjykatat për çështje të tyre civile.
“Duhet të merakosemi për drejtësinë e 50-60 mijë dosjeve të qytetarëve shqiptarë që flejnë me vite të tëra në sirtarë. Janë çështje që kanë të bëjnë me pronat, me jetën e përditshme të njerëzve që rropaten për vite,” tha Idrizi.
Ai shtroi pyetjen nëse sistemi i drejtësisë, i reformuar me shumë kosto dhe pritshmëri, ka arritur të japë rezultate reale për qytetarin e zakonshëm: “A ka mundur kjo drejtësi që bëmë ne të jetë produktive?”, u shpreh kreu i PDIU-së, duke kërkuar vëmendje të barabartë për të gjitha nivelet e drejtësisë.