SPAK merr të pandehur Gentian Malindin, personi që ndodhet në arrati pasi dyshohet si porositësi i 137 kilogramëve kokainë të kapura në portin e Durrësit.

Ndaj biznesmenit është në fuqi masa “arrest me burg”, ndonëse ai vetë ka kërkuar ndryshimin e saj.

Droga u pikas nga uniformat blu të Greqisë, të cilat kanë bërë zëvendësimin e 137 kilogramëve kokainë me oriz, në Portin e Pireut. Më pas kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e konteinerit, deri në Durrës, për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës. Aktualisht të arrestuar janë Ardian Bega dhe Altin Myslihaka.

Autoritetet greke në një letërporosi drejtuar autoriteteve shqiptare kanë konfirmuar faktin se duke qenë se kontenierët ku ishte fshehur droga u kapën në kohë të ndryshme, janë celur dy cështje hetimore, por emrat e personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar mbahen sekret.

Sasia e madhe e drogës e vendosur në 4 kontenierë frigoriferikë që trasportonin banane për llogari të një kompanie në pronësi të një biznesmeni nga Vlora, u zbulua në portin e Pireut.

Rezultoi se trafikantët u kishin vendosur GPS pakove me kokainë të nisura nga Ekuadori drejt Shqipërisë. Mes autoriteteve të dy vendeve u ra dakord që droga të hiqej dhe të zëvendësohej me oriz.

Ngarkesa u lejua të mbërrinte në Durrës, ku sipas prokurorisë Gentian Malindi në bashkëpunim me dy të pandehurit e tjerë Myslihaka dhe Bega, ky i fundit punonjës në port, i morën pakot, por në momentin që kuptuan se brenda tyre nuk kishte kokainë i hodhën në mes të rrugës dhe u larguan. Malindi ia doli t’i shpëtonte policisë, edhe pse ishte në ndjekje nga uniformat blu. Ndërsa dy të tjerët vijojnë të mbahen në paraburgim derisa drejtësia të thotë fjalën e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb