Komisioni i Ligjeve po diskuton sot për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme për vitin 2021, duke propozuar dhe rekomandime në draftin për 2022-shin.

Socialisti Pandeli Majko lexoi 18 ndryshime të bëra në draft, që Kuvendi i propozon SPAK-ut, por nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, tha se edhe ai me mbështetësit e tij kanë rekomandimet e tyre.

Pandeli Majko: Struktura përgjegjëse e Kuvendit më ka ndihmuar për rezolutën. Është një rezolutë që bëhet për herë të parë për strukturën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dëshiroj të them që ky është një dokument i hapur. Ajo që dua të them si relator është që duhet të jemi të kujdesshëm, sepse SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë në raport me Kuvendin kanë karakteristikën dhe dallojnë vetëm në dhënien e raportimit. Ato nuk janë organe vartëse të Kuvendit. Dëshiroj të them që në dy kapitujt e parë të rezolutës nuk kam bërë ndryshim nga varianti që keni çuar me e-mail, por ndryshimet e fundit mua më kanë ardhur dje. Janë gjithsej 18 ndryshime, ku ka ndryshime thuajse në çdo pikë. “Të rritet shpejtësia në hetime. Të marrë masa për rritjen e transparencës publike, dhe më shumë transparencë për mënyrën e trajtimit të çështjeve”, është një ndër rekomandimet e Kuvendit për SPAK-un.

Enkelejd Alibeaj: Kam një çështje për procedurë. Ajo që lexoi Majko besoj është një ripërpilim i gjithë rekomandimeve të ardhura në draftin e parë. Majko nuk e lexoi, por një nga çështjet kryesore që u diskutua kur drejtuesi i SPAK erdhi dhe raportoi ishte fakti që përfaqësues të lartë politikë në një seri eventesh politiko-partiake kanë lëshuar sinjale të qarta publike për të ndërhyrë në veprimtarinë e SPAK. Ka pasur sinjale të qarta e të pastra ndaj SPAK se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë jo. Nëse jemi të sinqertë duhet të pranojmë që reforma në drejtësi, një nga problemet që pretendoi ta zgjidhte ishte distancimi dhe largimi përfundimtar i politikës nga drejtësia.

Ato ndërhyrje publike të kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, për çështje konkrete, për të injektuar jo vetëm në publik, por edhe në radhët e SPAK faktin që qeveria është ai që monitoron sistemin e drejtësisë rrënon drejtësinë, suksesin, besimin e njerëzve te SPAK. Eksponentë të politikës kurrsesi nuk duhet të artikulojnë asgjë në publik rreth temave që i përkasin drejtësisë, por Rama dhe Manja e kanë bërë këtë pa asnjë lloj skrupulli. Duhet të jemi jo vetëm të vetëfrenuar, por duhet ta përmbushim ne të parët këtë kërkesë të sistemit të drejtësisë, të heqim çdo lloj sinjali të ndërhyrjes në drejtësi, si dhe të kërkojmë të merren masa që për ndërhyrje të tilla të pushtetit. Dhe meqë ra fjala, edhe ne kemi disa rekomandime bazuar në variantin e parë të draftit. Do t’i depozitojmë, që ato të përfshihen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb