Falenski: SPAK është përgjegjës për vjedhjen e votave në Dibër; pa hetim nuk ka negociata.

Në tre mars, në Bundestagun gjerman në Berlin, u mbajt një konferencë për perspektivën europiane të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë konferencë, që organizohej nga deputeti i gjelbër, Manuel Sarrazin (raporter për Shqipërinë i grupit parlamentar të gjelbër e president i Shoqatës Europa Juglindore) vendi ynë përfaqësohej nga Odeta Barbullushi. Ajo prezantoi arritjet e Reformës në Drejtësi me fokus te vetingu, si një argument kryesor për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Por, raundi i pyetjeve për panelin solli një surprizë mbase të pakëndshme për zonjën Barbullushi, pasi një i pranishëm tha se ka probleme në qeveri me emërime të pamerituara dhe e pyeti nëse ajo do të ishte emëruar zv.ministre, nëse nuk do të kishte qenë kushërirë e ministrit të Jashtëm të asaj kohe. Kjo është e paligjshme dhe korruptive. (1:02:32-1:02:56)

Zonja Barbullushi nuk ju përgjigj asaj pyetje, por shpjegoi Reformën Zgjedhore në proces.

Hans-Joachim Falenski, këshilltar i grupit parlamentar CDU/CSU, i cili javën e shkuar u dekorua Kalorës i Urdhërit të Skëndërbeut nga Presidenti Meta ishte gjithashtu i pranishëm. Në ndërhyrjen e tij, Falenski theksoi se deputetët e CDU po punojnë me kolegët e tyre holandezë, që ata të mos vënë veto për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por, rezerva më e madhe e tyre ka të bëjë me aktivitetin në Holandë të narkotrafikantëve nga Shqipëria.

“Ne sugjerojmë që kolegët holandezë të mos votojnë kundra negociatave por, sipas shembullit të Bundestagut, të vendosin po të duan një kusht të dhjetë apo të njëmbëdhjetë. ( 0:56:36 – 0:57:52) Raporti i Komisionit Europian që u publikua dje nuk e përmend fare këtë problem dhe kjo nuk është pozitive”, tha ai.

Sipas Falenskit për grupin parlamentar CDU/CSU është e papranueshme që të mos hetohet vepra penale e votëblerjes për të cilën eshtë shprehur qartësisht Bundestagu; dosja po hidhet si në patate e nxehtë nga zyrat e prokurorisë sa në Dibër e në Tiranë megjithëse përgjegjës për të eshtë qartazi SPAK-u. ( 1:00:02-1:00:22).

Sipas Falenskit nëse kemi vendim pozitiv nga udhëheqsit europianë këtë pranverë konferenca e parë e pranimit mund të thirret në fund të vitit 2020 poqese janë përmbushur kushtet. (1:00:34-1:00:52).  Negociatat fillojnë faktikisht mbas Konferencës së dytë të pranimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb