TIRANË

Ndonëse bëri bujë të madhe, e madje për të folur për të doli në konferencë edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ‘shfryn’ çështjen “Mezhgorani”, një operacion pas 6 muajsh hetime që çoi në pranga edhe botuesin Henri Çili.

Sot Gjykata e Posaçme rivlerësoi masat për Henri Çilin dhe të dyshuarit e tjerë të dosjes.

Me kërkesë të prokurorëve të SPAK Altin Dumani dhe Elisabeta Millonai gjyqtarja Irena Manoku vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Për avokatin Ilir Korbi prokurorët kërkuan “arrest shtëpie”, por gjykata vendosi edhe për të “detyrim paraqitje”.

Kujtojmë se prokuroria e Apelit dje në Gjirokastër kërkoi burg dhe  gjykata e Apelit dha detyrim paraqitje. Për shkak të situatës janë zbutur dhe disa masa të tjera sigurie.

Operacioni që çoi në pranga Çilin dhe 27 persona të tjerë u zhvillua më 28 shkurt pas një hetimi 6 mujor, në kuadër të një procedimi penal të nisur në vitin 2019 për falsifikim të kartëmonedhave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb