TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi SPAK-ut ta marrë nën hetim. Berisha tha sot në mesditë në një bashkëbisedim me gazetarët se Rama ka dërguar raporte në Departamentin e Shtetit të cilat nuk i ka publikuar dot kurrë dhe as nuk i ka dërguar në prokurori pasi janë shpifje.

Ai tha se tani Rama i kërkon SPAK-ut të hetojë shpifjet e tij, teksa e sfidoi t’i çonte në SPAK.

“Ka dhe një arsye tjetër në dezekulibrimin e Edi Ramës. Ai është autor kryesor që ka mashtruar Departamentin e Shtetit për Sali Berishën. Nuk e them unë këtë, lexoni përgjigjen që Departamenti i Shtetit i ka dhënë një të përditshmeje shqiptare, ku i thotë se burimi i informacionit për sekretarin e shtetit përveç mediave dhe NGO-ve kanë qenë raportet e hetimit antikorrupsion të qeverisë shqiptare. Pra Edi Rama dhe unë e besoj plotësisht deklaratën e zdh të DASH, ka kërkuar raporte në DASH të cilat nuk i ka publikuar dot kurrë, të cilat nuk i ka dërguar dot në prokurori se janë fund e krye shpifje. Çfarë kërkon tani Edi Rama, i kërkon drejtësisë ‘hetoni shpifjet e mia’, shpifjet e tij. Hetoni se çfarë gënjeshtrash kam bërë unë në DASH se e sheh që laku po i ngushtohet çdo ditë e më shumë se raportet e tij kanë qenë një shpifje fund e krye. Unë i them Edi Ramë publikoji ato. I them Edi Ramës çoji të gjitha ato në SPAK dhe ku të duash”, tha Berisha.

Ai theksoi se se e gjithë kjo fushatë ka vetëm një qëllim, të mbulojë vjedhjet monstruoze që po dalin çdo ditë të Edi Ramës dhe natyrisht të ushtrojë presion ndaj opozitës së vërtetë shqiptare me të cilën e ka absolutisht betejë të humbur. “Nuk ka shans që ta impresionojë opozitën e vërtetë me qëndrimet e tij të dezekuilibruara. Me këtë fakton për çfarë i duhet drejtësia Edi Ramës, kundër kundërshtarëve të tij. kaq është por kjo nuk është asgjë e re”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb