Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sërish që goditja e SPAK-ut duhet të ndodhë në 360 gradë. Ai tha se kjo nuk është një presion ndaj institucionit të rëndësishëm, por një akt që duhet kryer për të mirën e qytetarëve.

“SPAK e di mirë punën e vet. Korrupsioni ka shkallë. Nuk jam unë kundër që një polic ndalon një makinë për një 10 mijë lekësh, të hetohet. Por jam shumë kundër që kjo të kthehet në punën kryesore. Thashë, duhet vendosur gurët e tjerë të themelit.

SPAK vendos një gurë të rëndësishëm duke goditur në oborrin e partisë në pushtet. Sa herë do e bëjnë asnjëherë nuk do të kenë komente nga ne. Kjo është për historinë, s’është vetëm për sot. Duhet të jetë 360 gradë. Këtu ka diçka që nuk shkon dhe këtë po ndajmë me vettingun. Kjo nuk është presion ndaj SPAK-ut. Pas kësaj nuk do thuhet më që kjo është lojë e shitur, këta janë bashkë, bëhen për të mbrojtur këtë apo atë. S’ka lidhje fare”, tha Rama.

Më tej ai u ndal edhe te inceneratorët. Ata sipas kryeministrit janë pronë e shtetit dhe shpejt do të prodhojnë energji dhe asimilojnë mbetje. Ai shtoi gjithashtu se një nga kriteret kryesore që ka përmbushur Shqipëria për finalen e UEFA-s, ka qenë pikërisht pastërtia.

“Ka sida që thonë se Rama e bën këtë se ka hall për të mbrojtur. Megjithëse ka vite që jam mes jush s’më keni njohur akoma. Unë nuk mbroj asnjë nga punët e këqija që cilido mund të bëjë pas shpinës time. Janë disa probleme teknike të transformimit të pronës. Ata s’janë inceneratorë. Impianti në Elbasan është i shtetit, do të punojë për qytetarët. Është pronë e Bashkisë. Fillon edhe prodhimin e energjisë. Impianti i Fierit ka një proces më të ndërlikuar, por është pronë e shtetit. Tirana është e pastër. Një nga karakteristikat e grupit të UEFA-s për përcaktimin e Tiranës për finalen është pastërtia. Ata vinin nga Zvicra. Pastërtia e Tiranës ishte një nga pikat. Natyrisht nuk do të bënin finalen në një qytet të papastër”, theksoi kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb