Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të vazhdojë masën e sigurisë “arrest me burg” për babanë e Arbër Çekajt, Selim Çekajn. Gazetarja Klodiana Lala raportoi më herët për “BalkanWeb” se ditën e sotme SPAK është tërhequr nga masa e “arrestit në burg” për 72-vjeçarin Çekajn.

SPAK kërkoi masën e “arrest në shtëpi”, duke arsyetuar se nga të dhënat e deritanishme nuk ka prova që ai të jetë i përfshirë në çështjet e trafikut të drogës. Sipas prokurorit, derisa të kryhen hetimet, Çekaj duhet të qëndrojë në “arrest shtëpie”.

Një tjetër arsye, pse SPAK kërkoi zbutjen e masës së sigurisë është edhe mosha e thyer e Çekajt, por edhe fakti se i hetuari po mbahet prej javësh në qendrën spitalore të burgut, për shkak të problemeve të theksuara shëndetësore. Edhe ditën e sotme, ai nuk ishte i pranishëm në seancë, por përfaqësohej nga avokati Maksim Haxhiaj.

Selim Çekaj u vu në pranga, pasi policia sekuestroi sasinë prej 49 kg kokainë, në kompania e djalit të tij, e cila më herët kishte sjellë sasinë më të madhe prej 613 kg kokainë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb