Të shtunën në orën 20:45 në “San Siro”-n e tejmbushur do të luhet derbi i Italisë mes Interit dhe Juventusit. Numri 1 i pankinës së zikaltërve, Spalletti, është shfaqur entuziast para mediave duke deklaruar se pret një paraqitje të madhe të skuadrës së tij.

“Skuadra është në gjendje të mirë dhe gati për një sfidë vendimtare për objektivin tonë. Mund t’i dhurojmë tifozëve diçka të rëndësishme. E pres një paraqitje të madhe. Duhet të bëjmë kujdes dhe të mos krijojmë shpërqendrim nga synimet tona: na interesojnë vetëm tre pikët më tepër të Interit dhe jo tre pikë më pak për Juventusin. Stadiumi do të jetë i mbushur me tifozë zikaltër dhe do ta ndjejmë mbështetjen e fansave që kanë qenë fantastikë”, deklaroi Spalletti.

Pasi mbrojti kolegun e tij Allegri nga sulmet e tifozëve, Spalletti iu përgjigj edhe argumentit se Juventusi që do të ketë përballë rrezikon të shfaqet agresiv pas humbjes me Napolin.

“Nuk përbën asnjë ndryshim. Nëse ata janë të zemëruar nuk përbën asnjë ndryshim. Nëse e vendosim në këtë plan, ne jemi të tërbuar, sepse Interi nuk fiton asgjë prej 7 vitesh. Do të luajmë shumë agresivë, qëndroni të qetë sepse në këtë aspekt kemi disa avantazhe”, tha trajneri i Interit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb