“Albin Kurti ka kaluar më shumë se gjysmën e 47 viteve duke luftuar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare. Ky ish-aktivist u zgjodh kryeministër me shumicë të madhe në vitin 2021”, kështu shkruan në artikullin e saj gazeta spanjolle ‘El Pais’, pas një interviste të dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti gjatë kësaj interviste ka deklaruar se shteti spanjoll duhet ta njohë Kosovën , pasi kjo do ta ndihmonte Spanjën ta demonstronte se rastet nuk janë të njëjta, pasi Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë.

‘Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme’, ka thënë Kurti.

Në pyetjen se a ekziston rreziku për konflikt të hapur mes Serbisë dhe Kosovës, ai tha se ‘ka tension të madh sepse Beogradi refuzon të pranojë krimet e bëra në luftën në Kosovë.

“Për shembull, për masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, thonë se nuk ka ekzistuar. Ata e mohojnë krimin. Përveç kësaj, ata nuk e njohin pavarësinë tonë dhe kanë kryer 48 operacione rreth kufirit tonë: 28 janë ushtarake dhe 20 janë të xhandarmërisë’.”, ka thënë ai.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Bruksel, ku ka pasur një takim tre-palësh me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell si edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb