Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha González Laya ka ndërhyrë për një çështje ngërçi që është krijuar në sport, pasi vendi i saj do të përballet në kualifikueset e botërorit 2022 me Kosovën, por që nuk e njeh si shtet të pavarur.

Arancha González Laya ka konfirmuar se Spanja nuk e njeh ende Kosovën si shtet të pavarur, por kjo s’do të thotë se nuk do të luajë me të.

Ajo garanton se ndeshjet do të luhen sipas rregullave të vendosura nga FIFA, dhe duhet të punohet që tani për të gjetur zgjidhjen se si dhe ku do të luhen dy sfidat.

“Këtu po luajmë sipas rregullave të FIFA. Spanja padyshim që nuk e njeh Kosovën si një shtet të pavarur, por kjo nuk do të thotë që Spanja nuk merr pjesë në turne në të cilat merr pjesë Kosova”, tha ajo.

Duket se Spanja do të negociojë me FIFA-n për ndeshjet me Kosovën në mënyrë që të respektohen vendimet politike dhe sportive.

“Tani, për të vendosur se cilat do të jenë modalitetet e ndeshjeve midis Spanjës dhe Kosovës, dhe unë gjithashtu insistoj Greqinë dhe Kosovën, ne do të negociojmë ose diskutojmë me FIFA siç bëjmë gjithmonë, sipas rregullave të futbollit dhe të drejtat ndërkombëtare’’- theksoi ministrja spanjolle.

Sipas rregullit të FIFA-s, përfaqësueset që nuk duan të presin Kosovën në ‘shtëpitë’ e tyre, mund t’i luajnë në territore neutrale siç bëri Moldavia në Ligën e Kombeve, por vetëm duke e negociuar më parë edhe me vetë Kosovën. Në Ligën e Kombeve, Kosova gjithashtu u përball edhe me Greqinë, por helenët pranuan që ndeshja me dardanët të luhej në Athinë edhe pse nuk e njohin si shtet të pavarur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb