Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka deklaruar se dëshiron të forcojë marrëdhëniet e Turqisë jo vetëm me vendin e tij, por me gjithë Bashkimin Evropian (BE).

“Ne e kuptojmë se marrëdhënia e BE-së me Turqinë duhet të përfshijë një dimension solidariteti me Greqinë dhe Qipron (administratën e Qipros Greke), por padyshim, pasi që është një partner strategjik, një kandidat i BE-së dhe partneri ynë i NATO-s, ne duhet të ndërtojmë një axhendë pozitive”, tha Sanchez, duke iu referuar mosmarrëveshjeve të vazhdueshme të Turqisë mbi kufijtë detar me Greqinë dhe administratën e Qipros Greke.

Në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve në kryeqytetin Madrid, Sanchez theksoi Spanjën dhe Gjermaninë si dy vende evropiane që po bëjnë presion për më shumë “dialog konstruktiv me Turqinë”.

Për ta realizuar këtë dialog, Sanchez njoftoi një samit të ardhshëm midis Spanjës dhe Turqisë, të cilin ai njoftoi se tashmë e konfirmoi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu.

Sanchez tha se samiti do të synojë “t’u jap impuls gjesteve që ndryshojnë dinamikën aktuale shqetësuese dhe që kontribuojnë në konsolidimin e pranisë sonë në Evropë, si dhe në marrëdhëniet e mira midis Turqisë dhe gjithë BE-së”.

Më 8 janar, Sanchez realizoi një takim me kryediplomatin Çavuşoğlu, ku sipas njoftimit të qeverisë spanjolle diskutuan “marrëdhëniet e shkëlqyera midis Spanjës dhe Turqisë”.

Sanchez po ashtu dënoi “sulmin groteskt ndaj Kongresit Amerikan” që ndodhi më herët këtë muaj dhe ofroi mbështetjen e tij të plotë për presidentin e zgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden, që është vendosur të marrë zyrtarisht detyrën këtë të mërkurë.

Ai po ashtu këmbënguli se BE-ja duhet të thellojë lidhjet me Kinën rreth çështjeve të përbashkëta, pavarësisht “shqetësimeve” të tij për shkeljen e të drejtave të njeriut nga Kina.

Ai më tej shprehu më shumë hezitim edhe në lidhje me forcimin e marrëdhënieve të Spanjës me Rusinë.

“Nuk ka të bëjë vetëm me bisedën me Rusinë, por në vend të kësaj të dihet saktësisht se për çfarë doni të flisni dhe pse”, tha Sanchez.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb