Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka reaguar ndaj protestave të cilat janë shndërruar në dhunë dhe të cilat vazhdojnë prej 3 ditësh në vend me kërkesën për lirimin e reperit, Pablo Hasel i cili u burgos për shkak të një dënimi me burg ndaj tij.

Gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet në qytetin Merida, kryeministri Sanchez për herë të parë bëri deklaratë lidhur me protestat pro-dhunës që kanë shkaktuar arrestimin e rreth 90 personave dhe plagosjen e rreth 100 të tjerëve.

Duke iu referuar “debateve për demokraci” që janë në rend dite kohën e fundit në vend, lidhur me debatet për problemin e Katalonjës dhe lirinë e shprehjes, Sanchez tha:

“Spanja është një vend me demokraci të plotë dhe në vendet demokratike përdorimi i dhunës në çdo formë është i papranueshëm. Nuk ka asgjë që mund ta paraqesë dhunën si të drejtë. Dhuna nuk është liri, është sulm ndaj demokracisë dhe lirisë ndaj të tjerëve. Qeveria do të qëndrojë përballë çdo dhune dhe do të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj”.

Më tej Sanchez theksoi se Spanja duhet të bëjë rregullore ligjore për të zgjeruar fushën e lirisë së shprehjes kryesisht në mediat sociale.

Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande Marlaska në një fjalim në komisionin e Kuvendit, tha se aktet e dhunës në protestat në mbështetje të reperit Hasel “nuk mund të kenë asnjë anë të drejtë”.

Duke i cilësuar personat pro-dhunës si “një pakicë që përdorë gabimisht konceptin e të drejtës”, Marlaska mbështeti ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.

Hasel u dënua me 9 muaj burg për ofendim ndaj institucioneve shtetërore dhe mbretërore si dhe për lavdërim të terrorizmit me disa shprehje të përdorura në Twitter dhe në këngët e tij. Më 16 shkurt Hasel u burgos.

Dje për Hasel doli një vendim i ri i gjykatës i cili përfshin dënimin e tij me 2.5 vite burg për një akuzë tjetër.

Burgosja e reperit spanjoll shkaktoi debate për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vend.

Grupet radikale me ide të majta në vend dhe kryesisht partneri i vogël i qeverisë së koalicionit të majtë, Unidos Podemos, kërkojnë faljen dhe lirimin e Hasel-it.

Në protestat me qendër në Katalonjë, por të cilat janë përhapur në të gjithë vendin, pritet që të vazhdojnë në fundjavë me pjesëmarrje të lartë.

Sindikatat e studentëve në Katalonjë braktisën mësimin në mbështetje të Hasel-it dhe kanë deklaruar se do të zhvillojnë protesta gjatë gjithë ditës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb