Një person ka humbur jetën herët pas stuhisë së fuqishme që shkaktoi përmbytje të mëdha në rajonin spanjoll Murcias.

Viktima ishte duke fjetur në shtëpinë e tij në qytetin Javali Viejo kur ujërat e rrëmbyeshëm përmbytën muret e shtëpisë së tij dhe e tërhoqën zvarrë 300 metra poshtë bllokut.

Zjarrfikësit e Murcias thanë se kishin arritur të shpëtonin gjithashtu një “numër njerëzish nga shtëpitë e tyre” në të njëjtën zonë.

Murcia u godit gjatë natës nga një stuhi e shoqëruar me rrufe, erë të fortë dhe reshje shiu rekord.

Shërbimi meteorologjik i Spanjës AEMET njoftoi se për 10 minuta janë regjistruar deri në 40,6 mm të reshura, periudha më intensive e reshjeve në Murcia që nga fillimi i matjeve.

Përveç skenave tragjike në Javali Viejo, rrugët kryesore në qytetin e afërt të Murcias u përmbytën rëndë gjatë natës, ndërsa pamjet tregojnë përmbytje të shpejta të cilat marrin makinat e parkuara nëpër rrugë.

Përmbytje të konsiderueshme u raportuan gjithashtu rreth Mar Menor dhe qytetit Cartegena.

Shërbimet e urgjencës së Murcias thanë se u ishin përgjigjur 440 incidenteve të shkaktuara nga përmbytjet.

Ndërsa uji është tërhequr pjesërisht, disa rrugë kryesore ende janë të mbyllura për trafikun mesditën e së hënës.

Në Murcia gjithashtu mbetet në fuqi paralajmërimi për mot me stuhi të vazhdueshme dhe shi gjatë gjithë ditës.

Po ashtu edhe në anën tjetër të Spanjës, banorët e Ishujve Kanarie po përballen me mot ekstrem.

Stuhia Hermine shkaktoi përmbytje dhe çoi në mbylljen e shkollave, pezullimin e ngjarjeve sportive dhe aktiviteteve kulturore, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe rrëshqitje të dheut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb