Me 8 534 infektime të reja të raportuara, shkalla e infektimit në Spanjë është zhvendosur në nivelin “me rrezik të lartë”, përcaktoi qeveria qendrore e vendit.

“Rastet janë rritur javët e fundit, me pushimet e afërta të Pashkëve që kërcënojnë të përshpejtojnë infektimin”, tha ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias.

“Vendi është në një moment kritik”, paralajmëroi ajo.

Spanja deri më tani ka arritur të shmangë një shpërthim në infeksione të nxitur nga varianti më infektues britanik, por tani ai përbën rreth 60 % të infektimeve në të gjithë vendin.

Njësitë e kujdesit intensiv janë ende në vështirësi, pas kulmit të rasteve pas Krishtlindjes, me gati një në pesë shtretër ende të zënë nga pacientët COVID-19, më e lartë se në fillim të valëve të mëparshme.

Vendi ka miratuar një ligj të ri që i bën maskat të detyrueshme në të gjitha hapësirat e jashtme publike, përfshirë plazhet.

Gjithashtu, qeveria hoqi kufizimet mbi vaksinën Oxford/AstraZeneca, si edhe njoftoi përdorimin e saj për të imunizuar punëtorët thelbësorë mbi 65 vjeç.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb