Numri i personave që kanë hyrë në Spanjë nëpërmjet fluturimeve ajrore u ul me 99,7% në prill, krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2019, raportoi “Europa Press”.

Gjithsej, në prill, kanë ardhur 21 327 persona, krahasuar me më shumë se 7 milionë një vit më parë.

Autoritetet spanjolle ndaluan të gjitha udhëtimet jothelbësore në mars me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Javën e kaluar, Madridi vendosi një rregull të ri, sipas të cilit hyrjet e reja duhet të karantinohen në shtëpi për një periudhë dyjavore.

Turizmi është thelbësor për ekonominë spanjolle. Sipas statistikave zyrtare, rreth 83,7 milionë turistë mbërritën në Spanjë në vitin 2019 dhe shpenzuan 92,3 milionë euro.

Ministri spanjoll i Transportit, Jose Luis Abalos dha shpresë, këtë javë, për një rihapje të shpejtë për turistët, duke thënë se kjo mund të ndodhë në fund të qershorit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: