Shpërthimi i vullkanit në ishullin spanjoll La Palma ka ‘gëlltitur’ qindra shtëpi, ndërkaq shërbime të shumta shpëtimi janë ende në terren dhe po monitorojnë vazhdimin e aktiviteteve vullkanike.

Vullkani shpërtheu më 19 shtator në ishullin La Palma në Kanarie ku jetojnë rreth 80 mijë njerëz.

Komandanti i shërbimit të shpëtimit ushtarak, togeri Pablo Garcia Perez tha  se më shumë se 6.000 banorë janë evakuuar nga ishulli deri më tani.

“Jemi duke kryer misionin për të monitoruar vullkanin që shpërtheu në të dy anët e kraterit. Po punojmë për ta bërë që kjo situatë të shkaktojë dëme sa më të vogla dhe të ndihmojmë popullsinë vendase të evakuojë sendet me vlerë nga vendbanimet e rrezikuara”, tha Perez.

Përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Spanjës për Gjeografinë dhe Monitorimin e Vullkaneve, Stavros Meletlidis tha se presin që llava vullkanike të arrijë në det.

“Llava po lëviz ngadalë. Për momentin, gjërat kryesore po ndodhin në majë të vullkanit. Aktualisht, ne nuk mund të vlerësojmë vazhdimin e ngjarjeve dhe ne vazhdojmë të monitorojmë situatën”, tha Meletlidis.

Basilio, një banor i ishullit La Palma, ishte ndër të parët që u evakuua për shkak të vullkanit. Ai tha se gjithçka ndodhi shpejt të dielën në mbrëmje derisa ishte duke darkuar me familjen e tij.

“Askush nuk e priste një shpërthim të tillë vullkanik. Na thanë të dilnim nga shtëpia menjëherë për shkak të lavës dhe dolëm dhe se nuk nxorëm asgjë nga shtëpia”, tha Basilio, duke shtuar se nuk mund të përshkruajë trishtimin dhe emocionin që ndien kur largohesh nga shtëpia.

Ai tha se ekipet e shpëtimit evakuuan babanë e tij dhe 40 fqinjët e tjerë, jeta e të cilëve u rrezikua drejtpërdrejt nga llava nxehtë. Duke theksuar se situata është e tmerrshme, Basilio tha se shpreson të kthehet në shtëpinë e tij një ditë.

Llava vullkanike, temperatura e së cilës arrin 1.100 gradë Celsius, dogji dhe mbuloi 320 shtëpi dhe më shumë se 400 hektarë tokë bujqësore. Vlerësimet paraprake tregojnë dëme prej 400 milionë euro.

Autoritetet thanë se Cumbre Vieja pritet të mbetet aktive për të paktën 24 ditë, ndoshta deri në 3 muaj.

Ekspertët kanë paralajmëruar banorët vendas për shpërthime të mundshme dhe reaksione kimike kur llava të derdhet në det.

Ministri spanjoll i Turizmit, Reyes Maroto, pas evakuimit të banorëve dhe turistëve tha se shpërthimi vullkanik ishte një ‘shfaqje e shkëlqyeshme’ në La Palma.

Ai pretendon se La Palma është një ishull i sigurt dhe se të gjithë mund ta vizitojnë atë dhe të shijojnë skenat e pazakonta të aktivitetit vullkanik.

Shpërthimi i fundit vullkanik i ngjashëm në Spanjë ndodhi në vitin 1971, gjithashtu në ishullin La Palma, kur shpërtheu vullkani Teneguia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb