Është organizuar sot në qytetin e Çorovodës ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për politikanin e shquar, deputetin në disa legjislatura dhe publicistin z.Spartak Braho, lindur e rritur në Skrapar.

Këshilli Bashkiak Skrapar miratoi me vota unanime në 22 Janar dhënien e këtij titulli Spartak Brahos, me motivacionin;-“Në vlerësim të veprimtarisë së tij të shquar si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në disa legjislatura, si publicist dhe veprimtar i devotshëm shoqëror në mbrojtje të vlerave historike të LANÇ dhe të rënëve në këtë luftë, promovimit të vazhdueshëm të atdhetarizmit përmes lartësimit të figurave të shquara të Skraparit e më gjerë, si dhe traditave që i kanë dhënë nder e dinjitet në çdo kohë krahinës së Skraparit”.

Në fjalën e tij në çelje të ceremonisë, kryetari i bashkisë Skrapar, Adriatik Mema ka pohuar se, Spartak Braho është një skrapali me taban.

“Nga sot ju zoti Braho jeni më i riu “qytetar nderi” i qytetit të Skraparit,mes figurave të tjera të shquara që kanë nderuar Skraparin dhe Skrapari i ka vlerësuar. Ajo që shohim dhe vlerësojmë tek ju është shpirti juaj human, dashuria juaj për Skraparin, vendin e origjinës së të parëve tuaj, mbrojtja dhe promovimi i vlerave e traditave të Skraparit. Ju jeni një qytetar që vini nga një familje e nderuar e me vlera e këtij qyteti dhe familja juak la bërë sakrifica sublime, duke i dhënë qytetit tonë dy dëshmorë. Ju jeni skrapaliu i vërtetë e me taban dhe këtë e keni treguar në çdo cep të vendit”- ka thënë Mema.

Duke e cilësuar një ditë të shënuar për të, Spartak Braho ka falenderuar të gjithë ata inisiatorë (pushtetin vendor, organizata e deputetë) që propozuar për të dhēnien e këtij titulli të nderuar.

“Të jesh skraparli nuk është pak, është shumë. Edhe pse Skrapari është një rreth i vogël, jo çdo gje matet me peshe apo me madhësi. Skrapari është i madh sepse ka nxjerrë njerëz të mëdhenj dhe me peshë”-ka thënë Spartak Braho.

Në këtë ceremoni ka folur edhe Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili e ka cilësuar Spartak Brahon si një përfaqësues të denjë të kësaj zone, si një njeri që asnjëherë nuk është përulur dhe asnjëherë nuk ka bërë kompromis. “Unë i thërras Dajë për shkak edhe të miqësive të hershme familjare- ka thënë Klosi dhe e vlerësoj pa masë humanizmin e tij, ishte ndër të parët që shkoi në luftën e Kosovës”.

Në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe Baba Mondi që ka dhënë vetëm bekimin e tij: “Qofshi dritë dhe Zoti ju bekoftë”.

Në këtë event ka përshëndetur edhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, historianë e gazetarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb