Deputeti socialist Spartak Braho, në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, nuk ka lënë pas dore as debatin për simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Duke risjellë biseda me Kryeministrin Rama, Braho flet për një nga monumentet që simbolizon formacionet partizane dhe betejat e tyre, siç është “Ylli Partizan” në Pishkash të Librazhdit. Për Brahon, nderimi me grusht nuk është një nderim komunist, por një nderim antifashist, për ata që ranë në emër të antifashizmit dhe luftës për çlirimin prej tij.

Braho tregon dhe njohjen me “Artistin e Merituar” Kristaq Rama, babai i Kryeministrit Rama, të cilin deputeti socialist shprehet se e ka njohur në vitin 1986 gjatë kohës që ishte gjykatës. Po ashtu, deputeti Braho risjell edhe debatin e bërë në vitin 2013, kur ai vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim Taksave, për të cilën u akuzua se përvetësoi serverin e të dhënave tatimore të kompanive.

Braho tregon për kontrollin që është bërë te Tatimet ku ka rezultuar një aferë e madhe në rreth 250 milionë euro, ku përfshiheshin familjarë të politikanëve, por dhe zyrtarë të Tatimeve. Sipas Brahos, ishin mbi 200 kompani të huaja dhe vendase që kishin përfituar, ndërsa kontrolli i tij, si kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, lidhej me rrezikun e cenimit të sigurisë kombëtare.

Më tej, deputeti socialist rrëfen dhe komunikimin me Kryeministrin, pas mbylljes së kësaj çështjeje penale nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, për mungesë të mjeteve të nevojshme për ta hetuar këtë çështje.

SPARTAK BRAHO

Dilema të ditës së parë të qeverisjes…

… Mbledhja e qeverisë së re filloi me disa raportime rutinë për gjendjen financiare e që u rrotullua për disa minuta në fjalët e ministrave rreth asaj që quhej ato ditë “gropa e thellë financiare apo humnera e zezë” ku e kishte zhytur vendin Sali Berisha gjatë qeverisjes së tij të mëparshme, të cilën sapo e kishte dorëzuar…

Kryeministri Rama i kërkoi të raportonte edhe ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, i cili ndër të tjera theksoi se “gropën e zezë” financiare që ishte hapur, e kishin thelluar edhe disa afera korruptive me rimbursimet e hyrje-daljeve fiktive të të ardhurave në buxhetin e shtetit edhe nga dy kompani kineze fantazmë që kishin luajtur me taksat.

Ministri Cani theksoi se disa pjesëtarë të këtyre kompanive ishin arrestuar dhe po hetoheshin nga Prokuroria.

Edi Rama: – Cila është vlera e këtyre aferave korruptive?

Shkëlqim Cani: – Deri tani aty te 5 milion euro, por duhet të jetë akoma më e thellë. Duhet të ushtrojmë një kontroll të gjerë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave.

S.B: – z. Kryeministër! Ky është një informacion shumë i rëndësishëm dhe mesa shikoj, mjaft i rëndë. Gjykoj se mekanizmi që është përdorur për përvetësimet e mëdha, ka nxjerrë jashtë loje sigurinë kombëtare në aspektin financiar të saj. Një vrimë e madhe është hapur dhe duhet kontrolluar urgjent i tërë sistemi i lëvizjeve monetare të Drejtorisë së Tatim-Taksave.

Edi Rama: – Dakord! Ju, si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare bisedoni me ministrin që të organizohet një kontroll i thelluar atje ku mendoni se është krijuar problemi. Për ta evidentuar atë dhe… Në qoftë se duhet ndonjë akt nga qeveria, ta përgatisim.

Dy javë më pas…

Edi Rama:– Çfarë rezultoi nga kontrolli në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave?

S.B: – Atje ishte një katrahurë e tërë, institucion i shqyer nga të gjitha anët. Impiantet elektronikë dhe serverët ishin në mëshirë të fatit. Eksperti E. Beqiraj, i angazhuar në kontrollin e serverëve dhe tërë sistemit të Tatim-Taksave, më vuri në dijeni se ka lëvizje të llahtarshme, fshirje dhe zhvendosje të të dhënave dhe regjistrimeve, rimbursime të falsifikuara që lidhen me tatimet dhe taksat që kanë krijuar diferenca dhe humbje që shkojnë në një mungesë të pajustifikuar më shumë se 250 milion euro.

Edi Rama: – Kush ka përfituar nga këto rimbursime false?

S.B: – Sipas të dhënave të ekspertizës, janë mbi 200 kompani në krye të së cilës qëndrojnë kompanitë ‘Actor’, ‘Bankers’, ‘Albpetrol’ etj”.

Edi Rama: – O zot, të jetë e vërtetë? Ç’është kjo rrumpallë? Si mundet? E paimagjinueshme!

S.B: – Unë them se të dhënat që na paraqiti eksperti janë plotësisht të vërteta, pasi ai përdori programe të posaçme elektronike për verifikimin e tyre! Gara për të vjedhur ka qenë e fortë. Për të krijuar bindje edhe ju, bisedojmë nga afër dhe me ekspertin. Kjo është një pjesë e “gropës së zezë financiare” ku e rrokullisi vendin Saliu.

Edi Rama: – Si mendon, ç’duhet bërë?

S.B: – Duhet të denoncohen menjëherë ish-drejtuesit kryesorë të Drejtorisë së Tatim-Taksave, Drejtori i IT-së, Renald Rista, në Prokurori. Por, drejtoreshë Brisida duhet të bëjë spastrime dhe të rregullojë regjimin e hyrje-daljeve në ambientet e serverëve. Nga hetimet e bëra nga Policia Gjyqësore thuhet se në këto lëvizje financiare ka marrë pjesë me porosi edhe Shkëlzen Berisha…

Edi Rama: – Po, po, bisedo me Çimin dhe Brisidën dhe bëni denoncimin, – tha duke mbyllur dialogun me dilemën e një skandali që i binte në prehër menjëherë një Kryeministri që sapo kishte marrë detyrën.

Në ditët në vijim, shtypi i djathtë tej mase i alarmuar nga skandali, u mbush me shkrime dhe akuza ku thuhej se Spartak Braho kishte grabitur të dhënat e serverëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. E prisja këtë sulm! Prekeshin interesa të mëdha të mafies financiare të drejtuesve të Partisë Demokratike.

Pas disa muajsh hetimi, Prokuroria e Tiranës, ndonëse vura në dijeni edhe prokurorin e Përgjithshëm A. Llalla, e mbylli çështjen me arsyetimin “nuk kemi mjete, programe të posaçme dhe aftësi profesionale e shkencore për të hetuar më tej”.

Pasi lexova vendimin e Prokurorisë për pushimin e hetimit, i shkruajta Kryeministrit: “Prokuroria e Tiranës e mbylli çështjen. Një turp i tërë që lekët e shqiptarëve janë vjedhur, kurse këta të Prokurorisë thonë nuk kemi mjete të vërtetojmë akuzat e ngritura të këtij krimi financiar!”

Po atë pasdite, Kryeministri Rama, pasi mori njoftimin tim, më ktheu përgjigje: “Spartak! Ky nuk është organ hetimi, por organi i turpit që ka marrë ujë nga të gjitha anët, plotësisht! Duhet t’i bjerë kosa”…

KORRIK 2013

Pjimage41
Pjimage41

QERSHOR 2017

DIALOG ME EDI RAMËN

Dialog përballë një lapidari

S. B: – Si të duket ky lapidari “Ylli Partizan” në Pishkash, z. Kryeministër?

Edi Rama:- I bukur! Nuk është thjesht yll, është vepër monumentale arti.

S.B: – I kujt është ky monument, kush e ka ideuar? Mos është … i Kristaqit?

Edi Rama: – Jo, jo… është i skulptorit Perikli Çuli. Mesa shoh në fotografi qenka i mirëmbajtur.

S.B: – Po, me ndihmën e disa simpatizantëve të PS-së në Librazhd dhe Përrenjas si dhe me interesimin e Taulant Ballës, ai u riparua. Kristaqi ka dhënë ide dhe ka marrë pjesë në shumë vepra monumentale të luftës, sidomos në Durrës.

Edi Rama: – Po, po. Kristaqi ka disa monumente që i dedikohen luftës, por më kryesori është ‘Nëna Shqipëri’ te varrezat kombëtare të dëshmorëve dhe ai i ‘Rezistencës’ kundër pushtimit fashist në Durrës. Im atë, si skulptor ka pasur shumë afeksion dhe dëshirë të punojë për realizimin e veprave dhe lapidarëve dedikuar Luftës Antifashiste…

S.B:-Po foto ku unë kam dalë me nipërit e mi para monumentit si të duket? Mendoj që është një kujtim i bukur. S’besoj që nderimi që kemi bërë me grusht të ngjallë debat apo të konsiderohet si nderim i përdorur nga komunistët. Vetëm injorantët e ngatërrojnë me qëllim këtë lloj nderimi. Nderimi me grusht është nderim antifashist. Mesa di unë edhe këtë e kam dëgjuar nga Petro Marko, që ai është nderimi i antifashistëve dhe brigadave internacionaliste nga e gjithë bota që luftuan në Spanjë më 1936 kundër fashizmit dhe diktaturës së Frankos. Apo jo?

Edi Rama: – Mesa di edhe unë, ashtu është. Figurë interesante Petro Marko. Ti e ke njohur nga afër?

S.B: – Po, e kam njohur dhe i kam lexuar të tëra poezitë dhe romanet e tij. Djalin e tij Jamarbër Marko e kam pasur shok. Madje kemi mbaruar në një kohë Fakultetin e Gazetarisë. Nuk e di a të kam thënë që kam pasur miqësi me babanë tuaj, Kristaqin, në kohën që ka qenë deputet i qytetit të Durrësit. E donte Durrësin, durrsak dinjitoz, artist i madh e i talentuar, njeri për së mbari.

Edi Rama: – E di, ti u bëre sebep edhe për vendosjen e pllakës përkujtimore tek ish-shtëpia ku ka jetuar Kristaqi në Durrës.

S.B: – Kam kujtime nga bisedat dhe takimet me Kristaqin.

Edi Rama: – Ashtu? Mesa më kujtohet, emri yt ka qenë i përmendur në ambientet e shtëpisë sonë, por nuk e mbaj mend përse. Mos ndoshta për ngjarjet në stadiumin e Beogradit, ku ishte edhe Olsi me ty për ndeshjen e kombëtares tonë?

S.B: – Jo, jo. Kjo ngjarje është e vonshme, është e para tre vjetëve. Një tjetër ngjarje e viteve ’86 me lidh me Kristaqin. Në ato vite unë isha gjykatës në Durrës. Por, një herë tjetër do të flasim më gjatë për hollësira…/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb