Avokati Spartak Ngjela foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për ngërçin me listat në Këshillin Politik, duke thënë se kryeministri Edi Rama ka pasur presion të madh nga ndërkombëtarët për të pranuar hapjen 100% të tyre.

“Rama e deklaroi se do t’i hapë 100%. Ne flasim për faktet, kur të shohim ligjin, do të shikojmë. Lista të pahapura ka pas vetëm Shqipëria, sepse votohet për emra, jo për partinë. Pse? Se kundërshtarët i rrëzojnë. Bëjnë propagandë brenda partisë dhe thonë “X mos e votoni”. Rama kishte frikë, por vendosi t’i hapë, sepse i bëri presion të madh opozita parlamentare, ka mundësi edhe politika amerikane. Marrëveshja e 5 qershorit është mëshirë që tregon Rama. Ata nuk janë në parlament. Po nuk ke vota në parlament, nuk ke çfarë marrëveshjeje bën. Rama i futi në tavolinë. Nuk të fus unë në tavolinë, po nuk je në parlament. Janë budallëqet e politikës shqiptare. Janë budallenj. Opozita parlamentare hyri si pykë brenda dhe tha se donte lista të hapura. Rama erdhi vërdallë dhe nuk kishte c’të bënte, prandaj e lejoi”, theksoi Ngjela.

Do shkaktonte kjo formulë pakënaqësi brenda partisë?
E c’rëndësi ka nëse ka pakënaqësi, ikën një palë, vjen një palë tjetër. Që do ketë qarkullim elitash në PS, kjo nuk diskutohet.

Po qasjen e opozitës parlamentare si e shihni?
Ka qenë shumë e mirë. Ka votuar të gjitha ligjet, ka respektuar mendimin ndërkombëtar dhe ka qenë një gur i rëndësishëm i politikës perëndimore në Shqipëri, sidomos i politikës amerikane. Ata i futën. Ajo opozita që doli jashtë ishte pa vlerë fare. S’ke parë ndonjë parlament botëror të bëjnë ashtu gjërash. Ata u trembën nga reforma në drejtësi, por nuk e kalojnë dot.

Nëse nuk gjendet një konsensus mes palëve, pse nuk e kërkojnë asistencën e ODIHR?
ODIHR vjen kur do të bëjë një kompromis për votat. Parlamenti është votë, tjerat janë jashtëparlamentare. Ata s’kanë votë në parlament. Ata i ka toleruar Rama shumë, edhe perëndimorët donin t’ua zbusnin budallallëkun që bënë. Atyre iu ka ikur forca juridike, kanë marrë fund. Dolën vetë dhe e ndihmuan shumë Shqipërinë. SPAK u vendos, që është kryesori që do të shpëtojë Shqipërinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb