Ky është Koci Shukulli. Është 70 vjeç dhe jeton në këtë shtëpi së bashku me bashkëshorten. Prej 11 vitesh, errësirën në shtëpinë e tij e ndriçon ky qiri. Disa vite më parë, situata nuk ka qenë ashtu, pasi siç thotë ai, ka qenë një pagues i rregullt i energjisë. Por mosha e bëri të pamundur që të punonte siç e kishte bërë dikur. Shtuar faturat e larta të energjisë, Koci nuk arriti t’i paguante më dhe, si pasojë, OSHEE ia preu dritat.
Edhe pse dritat iu prenë në vitin 2014, ai nuk u njoftua që duhej të shkëpuste edhe kontratën, çka ka bërë që sot, pas 11 vitesh pa energji elektrike, fatura e Kocit të arrijë në 3 milionë e 60 mijë lekë të vjetra.
Por, kjo është vetëm një pjesë e historisë së tij. Për më shumë, Koci është përballur me një tjetër problem të madh: prej 20 vitesh, bashkëshortja e tij vuan nga probleme të shëndetit mendor. Këto 11 vjet pa energji elektrike kanë qenë një torturë e vërtetë për të dhe bashkëshorten e tij. Ai thotë se asnjëherë shërbimi social shtetëror nuk ka qenë në shtëpinë e tij.
Ai deklaron për gazetarin Osman Stafa se pensionet që marrin bashkëshortët nuk mjaftojnë për asgjë. Koci tregon se për shkak të sëmundjes së bashkëshortes, i është dashur të bëjë edhe burrin, edhe gruan në shtëpi. Ai beson në Zot dhe thotë se shpresa e tij është që e nesërmja do të jetë më e mirë.
Koci ka mbledhur rroba të shumta në shtëpi, me shpresën se do t’i shiste, por askush nuk ka blerë, dhe tani ato janë kthyer në mbeturina. Ai thotë se më e rëndë se varfëria është braktisja që njerëzit i kanë bërë vetëm për shkak se është i varfër. Siç thotë ai, më besnik se njeriu është qeni, dhe një qen që ata kanë, e mbajnë brenda në shtëpi.
Përfundimisht, Koci kërkon kthimin e energjisë elektrike, sepse nuk mund të jetojnë më kështu.