Nga Senad Nikshiqi
Për me shumë se dy dekada, Dukagjini, një ndër zonat më të bukura shqiptare ka rrugët më të rrezikshme në te gjithë territorin e vendit. Rrugët e shkatërruara kanë marrë jetë njerëzisht ndër vite.
Malet që qarkojnë fushat pa mbarim të rrafshit të Dukagjinit, i kanë izoluar banorët. Rruga u ka rrëmbyer brutalisht shpresën më të rriturve ndërsa fëmijëve të ardhmen.

Dukagjini

Kilometrat në këtë segment rrugor ekstremisht të rrezikshëm e pa asnjë siguri, ecin shumë ngadalë duke na kujtuar çdo sekondë që kalon, sakrificën e banorëve që duhet të bëjnë kryqin e luten para çdo udhëtimi.

Varfëria e heshtja këtu ulërin frikshëm, mes malesh, luginash e përrenjsh. Rruga gjarpëron, mes pyjesh, makina tronditet fort, diku mezi ngjitet e diku mezi zbret, e për të arritur në destinacion duket gati-gati një mision i pamundur. Gjoni, i cili e ka braktisur vendlindjen 14 vjeç na shoqëron dhe na tregon problemet e pafundme që ka zona.

Lapidarët me viktimat e aksidenteve fatale përgjatë viteve janë të pafundme në rrugën e Dukagjinit. Tragjedia e fundit u shënua në 2007 kur një furgon ra në humnerë dhe 10 persona humbën jetën.

Seandi Dukagjin
Për turistët rruga e amortizuar mund të jetë një aventure, të paktën për ata që pëlqejnë rrezikun ndërsa për banorët që udhëtojnë çdo ditë është një tmerr i vërtetë. Këto pamje janë një refren i zakonshëm. Gropat e mëdha përgjatë rrugës nga Kiri deri në Malin e Shoshit të shoqërojnë pa ndërprerje ndaj përveç makinës duhet të përzgjedhësh edhe një shofer të sprovuar që e njeh rrugën.

Historitë e aksidenteve përgjatë kësaj rruge janë gati të pabesueshme. Këtu dimri është i egër, për gjashtë muaj banorët izolohen nga dëbora dhe të sëmurët mbeten në mëshirë të fatit.

Nëse bashkia e Shkodrës nuk ndërhyn për të mirëmbajtur rrugën e Dukagjinit atëherë drejtuesit e mjeteve do të bllokojnë lëvizjen e gjithkujt, banorëve, arsimtarëve, mjekëve dhe kujtdo tjetër. Edhe kur lë Malin e Shoshit për të shkuar më pas drejt luginës së Shalës sërish kemi të njëjtën panorame, rruge të shkatërruara.

Dukagjin 3

Mungesa e rrugës mesa duket është bërë pengesë që kjo natyrë e mrekullueshme të mbetet e pa eksploruar nga të huajt por edhe nga vizitorët shqiptarë. Nga majat e larta mes rrugëve që gjarpërojnë sheh “Mollën e Shoshit”, poshtë lumin e kristaltë të Shalës e deri te thepat e lartë të Thethit e Qafë Thores. Udhëtimi vazhdon ndërsa shijojmë një tjetër pikë të lartë ku poshtë është lumi e ndërsa përballë mes maleve të gjelbëruara qyteza e Dakajve, ku qëndroi për pak kohë heroi kombëtar Skënderbeu.

Dukagjin 2

Këto zona të fshehura janë një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit elitar, por më parë është jetike infrastruktura, rruga, energjia, shëndetësia dhe arsimimi. Këtu mikpritja e ushqimi bio janë traditë e malësorëve prej shekujsh.

Dalëngadalë nis të bie muzgu dhe lëmë pas luginën e Shalës, Thethin për të marrë rrugën drejt Qafë Thores. Edhe pse pranverë këtu në Qafën e Thorës rruga zbardhon nga bora dhe është tepër e vështirë të çash përpara.

Dukagjin 4

Udhëtimi për në Dukagjin, nga Prekali në Qafë Thorë e më pas në Shkodër është vetëm 160 kilometra, por të duhen orë të tëra dhe njohës të mirë të zonës për të mbërritur në destinacion. Edhe pse Dukagjini është një dhuratë e natyrës, të mbeturit në këto anë kanë vetëm varfëri dhe rrugë të shkatërruara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb