Për të hyrë në Spitalin e Elbasanit është e pamundur, pasi që te porta hyrëse roja të thotë se duhet leje nga drejtoria.

Ndërkohë, në radhë për të hyrë brenda janë dhe shumë pacientë ambulatorë apo të afërm të personave të shtruar pa maska e doreza, e ku nuk respektohet asnjë protokoll sigurie i kërkuar nga task forca shëndetësore.

Zyrtarisht si media kërkojmë leje në drejtori për të hyrë dhe filmuar kushtet e pacientëve në spital, për më tepër atyre të transferuar nga Sanatoriumi, por sekretarja e insititucionit na jep një përgjigje absurd. “Kthehuni kur të mbarojë pandemia”, thotë ajo, a thua se Spitali i Elbasanit trajton të sëmurët me Covid 19.

Nuk e lëmë me kaq, por tentojmë t’i telefonojmë drejtoreshës së spitalit, znj Desantila Tahiraj, por më kot, pasi kreu i institucionit nuk denjon të hapë telefonin, edhe pas thirrjeve të përsëritura.

E teksa mundohemi të mësojmë se përse drejtoresha ka vendosur të pengojë median të bëjë punën e sajë në informimin e publikut nga kati i dytë i spitalit një pacient i moshuar na bën me shenjë që të ngjitemi në pavionin e tij për të na treguar kushtet spitalore. I tregojmë se nuk mundemi, pasi na është mohuar e drejta për të hyrë në spital ndaj dhe i kërkojmë të moshuarit të dalë jashtë godinës së spitalit për ta intervistuar.

Por, si për çudi, te dera kryesore, i njëjti roje që nuk na la të hynim në sital, këtë herë i kyç derën pacientit për të dalë nga spitali.

Por, i sëmuri nuk heq dorë. Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, aq sa mezi mbahet në këmbë, arrin të dalë nga spitali përmes një porte sekondare.

E quajnë Ibrahim Meta, nga fshati Kashar i Tiranës, dhe vuan nga një sëmundje e rëndë në mushkëri prej 1 viti i gjysmë. Por, prej një jave ka patur komplikacione të rënda në mushkëri dhe në mungesë të Sanatoriumit, QSUT e ka referuar në Spitalin e Elbasanit bashkë me të sëmurë të tjerë, që vuajnë nga sëmundjet e pulmonit.

Me zërin e lodhur nga frymëmarrja tejet e rënduar, Ibrahimi thotë se ka vetëm një lutje për kryeministrin Rama, që t’i rikthejë Spitalin e Sanatoriumit një orë e më parë të sëmurëve kronikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb