Pas më shume se dy vitesh qëndrese të aktoreve, regjisorëve, qytetarëve, Teatri Kombëtar u shemb. Por si arriti situata deri në këtë pikë? Cila është e vërteta e tentativave të kryeministrit Rama për ta shembur këtë godine, që prej vitit 1998, kur ai ishte ministër kulture? Pse duhej medoemos të ndërtohej këtu Teatri i ri, duke prishur një të vjetër, i cili me të mirat e të këqijat e tij, i ka dhënë publikut prej 75 vitesh, mijëra shfaqje, e publiku aktorëve, pafund duartrokitje.

Debati për shembjen e Teatrit Kombëtar ka nisur që prej vitit 1998, kur asokohe Edi Rama, ishte ministër Kulture. Ai kërkoi që Teatri Kombëtar të prishej dhe në të, të ndërtohej një Teatër i ri.

Teatri nuk u prek. Artistët e shkarkuar, me kalimin e kohës u rikthyen përsëri në punë. Por pas 4 vitesh, bëhet tentativa e dytë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Personi iniciator ishte përsëri Edi Rama, që tashmë ishte kryetar bashkie. Edhe pse përballë kishte aktorë që kishin bërë histori në Teatër, arroganca e tij nuk mungonte në diskutimet me ta.

Edhe pse kryetar bashkie i kryeqytetit, i dalë nga PS, Edi Rama nuk u mbështet në këtë ide të tij për shembjen e Teatrit, as nga vetë figurat më të rëndësishme të partisë socialiste.

Ideja për të shembur Teatrin Kombëtar me kalimin e viteve duket sikur u venit, dhe nuk u artikulua me publikisht. Në programin e partisë socialiste në vitin 2013, një ndër zotimet kryesore ishte edhe rikonstruktimi i godinës së Teatrit Kombëtar.

Fakt është se Edi Rama përgjatë mandatit te tij te pare 2013-2017 nuk e mbajti premtimin e tij për rikonstruktimin e Teatrit Kombëtar. Askush nuk e dinte se pas marrjes së mandatit të dytë në 2017-ën dhe pasja në parlament e një numri të konsiderueshem deputetësh, premtimi për rikonstruktim të godinës, do të kalonte në prishje të saj.
Në vitin 2018, Edi Rama riartikuloi përsëri idenë e prishjes së Teatrit Kombëtar. Tashme kryeministër i vendit, Edi Rama kishte të gjithë fuqinë për të vendosur fatin e godinës.

Instituti i Ndërtimit në muajin mars, të vitit 2018, kreu një akt-ekspertimi për godinën dhe përfundimet nxorën se Teatri Kombëtar nuk ofronte më garanci për aktorët dhe publikun, madje ishte kthyer në një rrezik për jetët e tyre.

Pas kësaj qeveria doli me përfundimin se aty do të ndërtohej një teatër i ri, por shteti, duke mos pasur paratë, vendosi që këtë projekt ta realizonte me privatin. Kompania Fusha, do të ndërtonte kullat e saj, dhe brenda kullave do të ishte edhe Teatri. Kjo ide u kundërshtua fort nga artistët, të cilët nuk e pranuan diçka të tillë. Kjo bëri që qeveria të tërhiqej dhe të artikulonte publikisht, se tashmë do ndërtohet vetëm teatri, por pa kulla. Në diskutimet publike të një grupi aktorësh u kërkua që kjo ndërtesë të qëndronte dhe teatri i ri të ndërtohej në një hapësirë tjetër, por këto kërkesa ranë në vesh të shurdhët.
Edhe pse i gjendur përballë këtyre kërkesave, që kërkonin restaurim të teatrit kombëtar, Edi Rama nuk bëri pas. Ai ishte i vendosur për ta çuar deri në fund idenë e tij.

Por artistët nuk ishin më aq të bashkuar sa në fillim, e kjo erdhi pas një takimi që kryetari i bashkisë së Tiranës, zhvilloi me disa prej artistëve, duke u premtuar atyre që teatri i ri kombëtar, do të ndërtohej pa kulla. Por disa artistë e regjisorë të tjerë, nuk ishin të kënaqur që teatri i ri të ndërtohej pa kulla, por si kërkesë kishin që godina të restaurohej, e të ruhej si vlerë kulturore. Kështu lindi aleanca për mbrojtjen e Teatrit. Një aleancë në të cilën u përfshinë aktorë, regjisorë, qytetarë e shoqëri civile.

Qëndresa e Aleancës vazhdoi gjatë, për më shumë se 2 vite. Një protestë e cila u zhvillua çdo ditë. Për të ruajtur godinën, vetë qëndrestarët vendosën të bënin roje me turne përgjatë 24 orëve, e duke sakrifikuar shumë.

Një nga personat që ishte vazhdimisht në protestat e Aleancës, ishte edhe arkitekti Maks Velo, i cili ishte shprehur publikisht kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
Rënia e Pandemisë COVID-19, bëri që të gjithë qytetarët të rrinin në shtëpitë e tyre, edhe për të respektuar masat e COVID-19. Këtë rregull e zbatuan edhe qëndrestarët e Teatrit Kombëtar, duke menduar se në këtë kohe, pushteti s’do kryej asnjë veprim ndaj teatrit. Këtë e pohon edhe Kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj, i cili në një intervistë për gazetaren Ola Bruko, në Neës24, u shpreh qartë se në këtë periudhë, as që mendohej ndërhyrja tek teatri në kohë krize.

Por duke pare situatën, qeveria vazhdoi të shfrytëzojë situatën e pandemisë. Dhe këtë e nisi qeveria, duke ia kaluar truallin e Teatrit Kombëtar, bashkisë së Tiranës, me një vendim të këshillit të ministrave. Por kjo sipas Aleancës nuk ishte shkelja e parë që ka bërë qeveria, por vazhdimisht rrugët e saj, të ndjekura duke pasur qëllim final shembjen e teatrit, janë shoqëruar me parregullsi ligjore.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, në një vendim të marrë në fshehtësi të plotë me publikun, vendosi në datën 14 maj, shembjen e godinës se Teatrit kombëtar.
Këtë vendim këshilli bashkiak e mbështeti në një akt-ekspertim të ri nga Instituti i Ndërtimit. Në fakt ky akt-ekspertim, ishte i gjithë i mbështetur në akt-ekspertimin e marsit të vitit 2018. Pra, e re në ketë dokument ishin vetëm 3 emra, që kishin firmosur shembjen, nga 5 në total. Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, tre nga 5 inxhinierët, nuk kishin qenë kurrë në Teatër. Për këtë arsye në datën 15 maj, vetë Aleanca ngre akuza për shpërdorim detyre e falsifikim ndaj Artur Hasantare, Olsi Nuraj, Elbarina Kola.

Vetë Aleanca e ndjente se pandemia do të përdorej për prishjen e shembjes së godinës së teatrit. Deklarata në fjalë e sociologut Ergys Mërtiri, është bërë vetëm pak ditë përpara shembjes së teatrit.

Si pasojë e COVID-19, fundjava e 16-17 majit, ishte e mbyllur për kryeqytetin, duke qenë se Tirana, sipas autoriteteve, ishte një zonë e kuqe dhe ku qytetarët duhej të tregonin kujdes në distancimin fizik dhe higjienën personale. Por ky vendim fshihte pas edhe vendimin tjetër. Atë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Pa aguar 17 maji, në orën 4:30 të mëngjesit, në godinë mësyjnë qindra forca policie, të cilët nxjerrin me forcë artistët, qytetarët dhe disa përfaqësues të opozitës nga godina dhe territori i teatrit. Dhjetëra qytetarë, aktorë u shoqëruan nëpër komisariate, të tjerët, u larguan me forcë jashtë kordonit të formuar nga policia.
Menjëherë pasi bën pastrimin e zonës, përpara godinës së Teatrit mbin një ekskavator, i cili menjëherë nis prishjen e godinës.

Me zbardhjen e së dielës së 17 majit, përpara Ministrisë së Brendshme mblidhen qindra qytetarë, të cilët bëjnë edhe tentativë për të kapërcyer kordonin e policisë e për të ndaluar prishjen. Por çdo tentativë ishte e kotë, kjo sepse policia reagoi me forcë ndaj çdo tentative të ndërmarrë nga qytetarët, apo edhe nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët ishin në mbështetje të kauzës së Aleancës.

Dhuna e policisë ndaj protestuesve, kulmoi pasditen e asaj të diele. Dhjetëra të rinj vendosën të bllokonin rrugën e të uleshin këmbëkryq në rrugën “Myslym Shyri”, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve. Kjo bëri që policia të ndërhynte me forcë ndaj të rinjve, duke shoqëruar në polici edhe dhjetëra prej tyre.

Por cila ishte sjellja e Policisë së Shtetit në këtë protestë? A ishte në lartësinë e duhur? A u shkelën ligje, nga ata vetë që janë garantët e ligjit?
Por sipas Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, policia nuk dhunoi askënd, madje u dhunua, gjatë përplasjes.

A ishte reagimi qytetar ai që pritej, pas shembjes së godinës së teatrit?
Çfarë përfaqësonte godina e Teatrit Kombëtar për Tiranën? Çfarë përfaqësonte për identitetin tonë kulturor e artistik?
Por si u përjetua dhe çfarë ndjesish krijoi shembja e teatrit tek vetë personat të cilët ishin përfshirë në debatin publik, pro dhe kundër shembjes?

Për News24 reagoi dhe aktori i madh Robert Ndrenika, i cili na rrëfeu edhe ndjesitë e tij pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Gazetarë e aktorë, e shohin shembjen e Teatrit Kombëtar, si arrogancë të pushtetit, i cili nuk tentoi asnjëherë të dëgjonte artistët, profesionistët, apo shoqërinë civile. Sipas tyre, nëse vetë qytetarët nuk i thonë stop, pushtetit, ai kthehet në diktaturë.

Aktualisht Aleanca për Teatrin është duke mbledhur firma në të gjithë Shqipërinë, për të rindërtuar edhe njëherë godinën e Teatrit Kombëtar ashtu siç ishte. Sipas tyre, ajo godinë i përket historisë, identitetit e trashëgimisë kulturore. Këta qendrestarë, të cilët protestuan për dy vite, nuk janë dorëzuar ende…shpresojnë që një ditë, Teatrin Kombëtar, ta shohin ashtu siç ka qenë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb