“Tani nis revolucioni”, kështu pat thënë në Parlament kryeministri Edi Rama, një minutë pasi 140 deputetët e Kuvendit nënshkruan me votë reformën e re në Drejtësi. U duk se shpejt themelet e shtetit do të shkundeshin e dhjetëra zyrtarë të lartë do të shkonin pas hekurave.

Ishte korriku i tri viteve më parë dhe pritshmëritë e shqiptarëve ishin shumë të larta për çfarë do të prodhonte reforma në drejtësi.

Por çfarë ndodhi tri vitet që e pasuan atë moment ishte shumë larg pritshmërive të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Ngritja e institucioneve që do të bënin drejtësi u zvarrit shumë, nga politika, si për ta konfirmuar frikën që ndjejnë të gjitha palët prej kësaj reforme.

Revolucioni për të cilin foli kryeministri, vonoi dhe sot pas tri vitesh ende nuk ka nisur.

Sidoqoftë, tani i kemi shumicën e institucioneve prej të cilave pritet të bëhet drejtësi. Është ngritur më në fund Prokuroria e Posaçme, ndryshe SPAK, një strukturë që pritet të godasë korrupsionin e krimin e organizuar në nivele të larta.

Mëngjesin e 19 dhjetorit 8 prokurorët e këtij institucioni u betuan para Presidentit Ilir Meta.

Prej tyre pritet shumë. Pritet që të bëjnë drejtësi. Ka shpresë por edhe skepticizëm tek kjo strukturë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, si mbështetëset më të mëdha të reformës e duartrokitën momentin e shumëpritur….
“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm”, do të shprehej Ambasada amerikane

“Sot prokurorët e SPAK janë gati të fillojnë nga puna. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi”, tha ambasadori i BE Luigi Soreca.

Pikërisht në ditën e lindjes së SPAK-t nisën debatet e forta. Në krye të tij u zgjodh Arben Kraja një prokuror me përvojë. Ai mundi dy rivalët e tij në garë, Altin Dumani e Edvin Kondili.

Për Gent Ibrahimin zgjedhja e kreut të SPAK, ishte momenti më i shumëpritur, por njëherazi më i vështirë i punës 1-vjeçare të institucionit.

Ende pa marrë detyrën, kreu i Prokurorisë së Posaçme, u përball me akuza të forta. Nga Zvicra ku ka kërkuar azil politik, Agron Tufa publikoi një dokument sipas të cilit Kraja kishte qenë hetues i regjimit të Enver Hoxhës.

“Ja pra ‘kryevepra’ e kreut të sapozgjedhur të SPAK-ut, Arben Krajës, që të bënte gjëmën, po t’i prishje ‘moralin komunist’. Nga procesverbali i ndalimit të bashkëqytetarit të vet, shkodranit Beniamin Bizi… Dhe ky ortodoksalizëm fanatik, demonstrohet pasi kanë ikur jashtë 6000 qytetarë që shpërthyen ambasadat, me datën e dokumentit 27.7.1990! Ç’të thuash më? Meqë deshët fakte…Këtij ju thoni t’i besojmë!? Dhe mendoni: janë dashur mbi 3 vjet seleksionim, kontroll figure (vetting) për të na nxjerrë këtë kristal të kulluar, llagarin e partisë! Ndalemi me kaq, se ka më…”, shkruante Tufa.

Kraja zgjodhi t’i kalonte në heshtje akuzat. Por prej tij nuk munguan mesazhet për qytetarët.

Në vend të Krajës, foli institucioni që i besoi me votë detyrën e rëndësishme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë tha se e kaluara e të gjithë anëtarëve të SPAK, është e pastër, pasi kanë kaluar me sukses çdo filtër. KLP bëri thirrje opinionit ta mbështesë Prokurorinë e Posaçme, deri në një provë të kundërt, të misionit që i është besuar.

“Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Të gjithë faktorët që parashikon ligji për kontrollin e figurës së prokurorëve janë kontrolluar në detaje. Pretendimet që ngrihen nuk janë ligjore por mendime të cilat në asnjë rast nuk mungojnë në diskursin publik. Ato janë gjithnjë të mirëpritura por nuk janë kurrsesi shkas për ngritjen e dyshimeve mbi legjitimitetin juridik e moral të prokurorëve të SPAK”, shprehej KLP.

Armand Shkullaku, gazetar dhe analist i njohur është i mendimit se Kraja nuk duhet paragjykuar për të kaluarën, por për punën e tij në krye të SPAK. “Nëse ai dështon në misionin që i është ngarkuar – thotë Shkullaku – atëherë dështon SPAK dhe njëherazi vihet në pikëpyetje reforma në drejtësi”.

“Sigurisht në kohën që ne flasim, 30 vjet pas rënies së komunizmit, ricilimi i figurave që të detyruar ose jo i kanë shërbyer një regjimi kriminal, të paktën nga një pjesë e popullsisë e humbasin besimin. Megjithatë mendoj sesa ky fakt, sesa e shkuara e z.Kraja, ka në dorë me atë që do të bëjë me mbrapa, të tregojë që është një individ i pavarur, që lufton ashtu siç ka bërë betimin, në emër të ligjit, kushtetutës dhe drejtësisë. Por nëse ai si drejtues i SPAK do të dështojë ne hetimin e dosjeve të nxehta, që për mua të nxehta janë ato që prekin pushtetarët e sotëm, jo histori të para 10 viteve, nëse ai dështon, edhe ajo histori do i kthehet shumë më e fortë mbi kokë”, deklaron Shkullaku.

Ervis Iljazaj, drejtor i gazetës “Liberale”, e sheh si problem të shkuarën e Arben Krajës.

“Për sa i përket paragjykimeve që ekzistojnë për kryetarin e SPAK, për të cilin thuhet se ka qenë hetues në kohën e regjimit komunist, unë gjykoj që është një problem, për faktin se  në pretendojnë që SPAK të hetojë si të thuash nivelet e larta apo krimet apo abuzimet apo korrupsionin në politikë. Unë e shoh pak të vështirë që një shoqëri, e cila nuk ka dënuar krimet e komunizmit të dënojë krimet e demokracisë. Në këtë kuptim qenia e kreut të SPAK hetues i regjimit komunist përbën një problem. Megjithatë le të mos e paragjykojmë pa filluar punën ende”, shprehet Iljazaj.

Referuar Kushtetutës së re të miratuar në unanimitet të plotë nga parlamenti korrikun e 2016, prokuroria e Posaçme duhet të funksionojë me jo më pak se dhjetë anëtarë.

Me një vendim të mëhershëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që për shkak të ngarkesës së dosjeve SPAK të niste punën me 15 anëtarë.

Në garë hynë 23 prokurorë. Por rrugës disa u rrëzuan nga vettingu, të tjerë u konfirmuan në shkallën e parë por u apeluan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa ka ende mes kandidatëve që ende nuk janë përballur me institucionet e rivlerësimit kalimtar.

Vetëm 8 ia dolën dhe tashmë kanë nisur nga puna. Legjitimiteti i SPAK-ut do të vihej në diskutim, nëse do të funksiononte me numër të reduktuar anëtarësh, pasi kjo do të shihet nga juristët si shkelje e ligjit themeltar të shtetit. E diskutueshme gjithsesi, por u gjet një zgjidhje. Arben Kraja kërkoi caktim të përkohshëm të dy prokurorëve. Ai mori besimin e Këshillit të Lartë të prokurorisë duke bërë që Dritan Prençi e Vladimir Mara t’i bashkoheshin trupës së prokurorëve të SPAK, duke çuar në dhjetë numrin e tyre.

Gazetari Shkullaku thotë se SPAK ende pa nisur nga puna ka marrë goditje të forta, ndërsa Ervis Iljazaj ngre dyshime të forta se maxhoranca i ka shtrirë tentakulat e saj edhe brenda kësaj strukture

SFIDAT E SPAK

Sfida më e madhe e trupës së prokurorisë është të thyeje paragjykimet. Për ta bërë këtë duhet që me rezultate konkrete të zhbëjë mitin e pandëshkueshmërisë të politikanëve, për të cilët ekziston një perceptim i fortë se janë të përfshirë në afera korruptive e kanë lidhje me botën e krimit.

Duhet që këto fije të priten e “peshqit” e mëdhenj të krimit e korrupsionit të provojnë shijen e hidhur të prangave.

Prokurorët e SPAK e nisën punën me dosjet hetimore të trashëguara nga Krimet e Rënda, institucion i shkrirë tashmë. Dosja e bujshme 339, ku ka dyshime të forta se krimi i organizuar ka ndikuar për të  deformimin e rezultatit të zgjedhjeve të qershorit 2017, Durrës Lezhë e Kavajë, është një sfidë e madhe për SPAK, për t’u dëshmuar shqiptarëve se është një institucion i pavarur dhe larg ndikimit politik.

Fashikujt e dosjes 184 ky zyrtarë të lartë socialist u kapën në biseda të dyshimta lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore në Dibër në 2016, përgjime që u publikuan nga tabloidi gjerman BILD, konsiderohen një tjetër provë thelbësore sesi Prokuroria e Posaçme do të veprojë.

Gjithashtu gur provë, është edhe çështja penale e çelur ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i pari zyrtar i lartë i shpallur ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas dyshimeve për përfshirje në korrupsion. Prokurorët e mëparshëm të këtyre dosjeve janë anatemuar me apo pa të drejtë nga politika dhe opinioni publik. Është detyrë e SPAK tashmë të hedhë dritë mbi të vërtetën.

“Duke qenë se e ka pamundur që 8 prokurorë apo 15 prokurorë qofshin të hetojë 20 vite të politikës shqiptare, kam përshtypjen që do të jetë selektive kjo prokurori, ndoshta do të jetë hetojë çështjet më te nxehta, çështjet më të bujshme, por jo të gjitha aferat që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit në Shqipëri. Në këtë kuptim, nuk e di sa do të jetë e besueshme ne selektivitetin e saj. Por një drejtësi selektive është më e keqe se mungesa e drejtësisë”, deklaron Iljazaj.

Ngritja e SPAK duket sikur ngjalli besim te publiku. Menjëherë në dyert e këtij institucioni të ri, por që funksionon në një godinë të vjetër, mbërritën kallëzimet e para.

Nisma Thurje kërkoi hetim të koncesionit të sterilizimit të pajisjeve spitalore, pasi ngre dyshime të forta që është një koncesion korruptiv. Përfaqësuesit e Nismës Thurje bënë thirrje të nisë hetimi ndaj të gjithë zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, përfshirë dhe ish-ministrin e Shëndetësore, Ilir Beqja.

SPAK mendohet të veprojë si një strukturë e pavarur dhe e pandikuar nga politikë dhe që nuk do të kursejë asnjë zyrtar që ka shkelur ligjin, pavarësisht kahut politik.

Në fakt politika në Shqipëri ka dëshmuar se sa herë i është dashur të përballet me drejtësinë, e ka mundur atë, në format nga më të ndryshmet, duke e blerë apo shantazhuar….por cila është garancia që prokurorët e SPAK mund t’i bëjnë ballë presionit politik?!

“Është paradoksale që politika e përshëndet sepse është e dyshuara kryesore

2020”, shprehet Iljazaj

2020 do të jetë viti i SPAK. Të gjithë do të jenë sy e vesh për rezultatet e Prokurorisë së Posaçme. këto rezultate pritet të vijnë pas krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila sigurisht kërkon kohën e saj për tu ngritur. Kohën se kur peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit do të shkojnë prapa hekurave s’mund ta parashikojë askush. Sikurse nuk u parashikua edhe koha e krijimit të Prokurorisë së Posaçme.

Megjithatë, sot SPAK është realitet. Një strukturë e posaçme për luftën kundër korrupsionit deri në nivelet më të larta të vendimmarrjes në Shqipëri. Është një strukturë e dedikuar për t’iu dhënë shpresë shqiptarëve kaq të dëshiruar për drejtësi. Për drejtësinë e munguar qysh në nisje të historisë së saj të shtetformimit. Është kaq i rëndësishëm misioni i SPAK, t’iu tregojë shqiptarëve që po vjen koha kur modeli i zyrtarit që na drejton prej një shekulli të njohë hekurat e burgut. Misioni i SPAK është kaq i rëndësishëm, t’i mësojë shoqërisë shqiptare se si jetohet me drejtësi. Por a do të jetë SPAK një histori suksesi? Nuk mund e nuk duhet të jetë ndryshe sepse në të kundërt aspirata për drejtësi në Shqipëri do të marrë goditjen finale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb