Nora e ka shtëpinë vetëm pak metra larg murit rrethues të fabrikës dhe e di më mirë se kushdo se çdo të thotë të  bashkëjetosh me tymin e zi që del nga oxhaku metalik. Lecka me të cilën lanë ambientet e jashtme të shtëpisë ka marrë ngjyrë të zezë nga bloza që mbulon dyshemenë dhe po ashtu edhe uji i kovës.

Tek filmojmë oxhakun mbi fabrikë, nuk duket tym mbi të, por pamjet e filmuara nga banorët në orare dhe në ditë të ndryshme dëshmojnë të kundërtën. Në videot amatore shquhen qartë shtëllungat e tymit dhe blozës që çlirohen edhe në mes të ditës çka sipas banoreve shkaktohet nga mosfunksionimi i filtrave.


Fabrika e tullave në Laprakë ndodhet jo më larg se 300 metra në vijë ajrore nga Spitali i Traumës. Ajo ka shërbyer si fabrikë betoni që prej vitit 1976, por në vitin 1996 në këtë fabrikë ka nisur prodhimi i tullave dhe i mjeteve të tjera të ndërtimit nën administrimin e një subjekti privat nën pronësi të një shtetasi italian.

Nga ana e tyre banorët fajësojnë pikërisht fabrikën dhe pronarët e saj për problemet shëndetësore që kanë shfaqur familjarë dhe të afërm të tyre të cilat thonë se janë shtuar veçanërisht muajt e fundit.

Ndërkohë “News 24” ka siguruar edhe gjobën që Inspektorati i Mjedisit i ka ngarkuar kompanisë së prodhimit të tullave në Laprakë në datën 15.042019 në vlerën  500 mijë lekë të reja për mosplotësimin e kushteve mjedisore e ku njëherazi kërkohet edhe pezullimi I aktivitetit të fabrikës deri në korrigjimin e shkeljeve të konstatuara dhe eliminimin e pasojave. Por kjo e fundit  sipas banorëve nuk është zbatuar nga kompania.

Ankesat e banorëve nuk janë të panjohura për kompaninë e prodhimit të tullave pas takimit të zhvilluar një javë më parë mes një përfaqësie të banorëve dhe drejtuesve të fabrikës.

Pasi kanë provuar që shqetësimet t’ia bëjnë prezent të gjitha hallkave shtetërore përfshirë edhe kryeministrit Rama, banorët kanë vendosur të dalin sërish në protestë ditën e diel para derës së fabrikës ndërsa kanë nisur edhe mbledhjen e firmave për peticionin që do t’i dërgohet qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb