TIRANE – Pas protestës se kandidatëve për specializantë në mjekësi, Ministria e Arsimit vendosi të ndryshojë rregullat, duke pranuar për aplikim dokumentin e njohjes së gjuhës së huaj, në nivel B2, ose ekuivalenti përkatës për gjuhët e tjera, të parashikuar në rregulloren e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me test ndërkombëtar ose me certifikatë të lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.

“Në përfundim të takimit të Ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, të zhvilluar sot në MAS, mbi shqetësimin e ngritur nga aplikantët për specializimet afatgjate në fushën e mjekësisë, u vendos që të pranohet për aplikim dokumenti i njohjes së gjuhës së huaj, në nivel B2, ose ekuivalenti përkatës për gjuhët e tjera, të parashikuar në rregulloren e specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, me test ndërkombëtar ose me certifikatë të lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Kandidatët do të aplikojnë brenda afateve të parashikuara në Udhëzimin përkatës Nr.57, datë 04.12.2014. Specializantët kanë detyrimin e mbrojtjes së gjuhës së huaj deri në përfundimin e specializimit afatgjatë sipas Ligjit Nr. 9741, datë 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore në fuqi.”- thuhet në njoftimin e MAS.

Kandidatët për specializantë në mjekësi protestuan gjatë paradites së djeshme për shkak të ndryshimit të kriterit të gjuhës së huaj, sipas rregullores së re të miratuar nga Rektorati. Ky i fundit kishte vendosur të mos njihte më dëshmitë që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, por vendoste si kusht të regjistrimit në konkursin e specializimit, pasjen e dëshmisë së gjuhës së huaj mbi nivelin B2, dëshmi që ofrohet vetëm nga shkollat private.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: