TIRANE – Ministrja e Arsimit, Lindia Nikolla thekson se procesi i specializimeve në mjekësi ka qenë tërësisht transparent dhe në përputhje me të gjitha rregullat. E pranishme në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, ministrja e Arsimit hodhi poshtë çdo pretendim për parregullsi dhe nepotizëm në përzgjedhjen e specializantëve, duke theksuar se është e gatshme të largohet nga detyra në rast se këto pretendime vërtetohen.

I pranishëm në seancën dëgjimore në komisionin e Shëndetësisë ishte edhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndërsa kryetarja Albana Vokshi solli në vëmendje pretendimet për parregullsi dhe korrupsion gjatë procesit të përzgjedhjes së specializantëve.

“Na ka mbërritur një peticion i firmosur nga 50 specializante me çështje shqetësuese të ngritura nga ata vetë, në lidhje me procesin e specializimeve”-deklaroi Vokshi.

“Procesi ishte transparent, realizohet për herë të parë. Ka arritur të largojë nepotizmin dhe korrupsionin. Në Qendrën Kombëtare të Provimeve ka patur zero ankimime. Intervista me gojë u la në fillim, për të mos ndikuar në rezultatin përfundimtar. Pretendimi se në proces janë përfshirë kandidat pa specializimin përkatës i pavërtetë. Janë pranuar të gjitha dokumentet. Nëse ju si komision provoni të kundërtën, atëherë unë largohem e turpëruar nga detyra ime si ministre. Për te bërë transparent procesin, 5 mijë pyetjet kanë qenë të publikuara në faqen online të Fakultetit të Mjekësisë.”- deklaroi ministrja Nikolla.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi se autoritetet ka reaguar ndaj çdo shqetësimi të specializantëve, duke theksuar ndryshimet që u ndërmorën pas shqetësimeve të ngritura për gjuhën e huaj.

“185 kuota me kontratë janë shpërndarë kryesisht për të plotësuar nevojat me specialistë, kryesisht për spitalet e rretheve. Reaguam ndaj shqetësimit të specializantëve për gjuhën e huaj”-deklaroi Beqaj.

Mbledhja e Komisionit u karakterizua nga debate, pasi deputetja demokrate Albina Deda akuzoi ministrin Beqaj për mashtrim.

Albina Deda: Pse doni të mashtroni, pse nuk keni sjellë udhëzimin për  pranimin e kandidatëve pa licencë.

Beqaj-Vokshit: Doni të largohemi apo të qëndrojmë? Nuk pranojmë etiketime të tilla.

Ilir Pendavinji i PS: Bojkotuat për 6 muaj, tani bëni etiketime të tilla.

Ndërkaq, edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo theksoi se gjatë procesit të specializimeve ka patur parregullsi teknike që duhen korrigjuar.

“Në neurokirurgji dhe  kardiokirurgji sot shkojnë specializantë me 400 e 500 pikë dhe lemë jashtë kandidatë shumë të mire me mbi 800 pikë. Ndarja e specializimeve të bëhet sipas meritës. Gabimet janë teknike duhen korrigjuar, por procesi ka qenë transparent. Pse u hoqët  të drejtën mjekëve të përgjithshëm  për të aplikuar për shëndet publik,  pasi kështu u duhet hequr  diploma  shumë  mjekëve  që kanë qenë edhe ministra.”- deklaroi Tavo.

Në komision ishte e pranishme edhe një mjeke specializante, e cila ka firmosur peticionin për procesin. “Jam e vetme sepse duket se kandidatët e tjerë kanë patur frikë të marrin  pjesë dhe kam mbetur vetëm. Ne kërkojmë që kandidatët me mbi 800 pikë të na jepet mundësia që të jemi pjesë”- deklaroi ajo.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb