Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE- Kandidatët që do të aplikojnë për specializimin e mjekëve, për të marrë brenda ditës dëshminë e penalitetit duhet të aplikojnë direkt në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. “Të gjithë kandidatët që aplikojnë për specializim afatgjatë në fushën e mjekësisë dhe që kërkojnë të pajisen me dëshmi penaliteti, duke qenë se aplikimi përmes Postës parashikon afate më të gjata për pajisjen me dëshminë në fjalë, kandidatët mund të aplikojnë personalisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve brenda datës 11.12.2014 për t’u pajisur me dëshminë përkatëse brenda ditës”, njoftohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Dëshmia e penalitetit është një prej dokumenteve që aplikantët duhet të kenë në dosjen që do të dorëzojnë në Fakultetin e Mjekësisë për të konkurruar për 365 kuotat e miratuara për specializimet afatgjata në mjekësi.
Afati i fundit i aplikimeve është data 12 dhjetor 2014. DOKUMENTET Kandidati që do të aplikojë për specializimet në mjekësi, duhet të paraqitet personalisht brenda datës 12 dhjetor, në Fakultetin e Mjekësisë, për të bërë aplikimin dhe për të dorëzuar dokumentacionin e mëposhtëm: Formular aplikimi, sipas modelit të parashikuar në udhëzim; Kandidati përcakton 3 preferenca në renditje preferenciale zbritëse për programin e specializimit afatgjatë që aplikon; Një letër motivimi e aplikantit; Fotokopje e dokumentit të identifikimit, kartë identiteti ose pasaportë.
Po ashtu, duhet kopje e diplomës universitare të ciklit të dytë dhe të listës së notave, kopje e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, niveli B2, si dhe fotokopje e li licencës për ushtrimin e profesionit në Republikën e Shqipërisë dhe dëshmisë së regjistrimit në urdhrin profesional. Të gjitha fotokopjet duhet të noterizohen në Shqipëri. Veç tyre, duhet dëshmi penaliteti, e cila merret brenda ditës nëse aplikanti aplikon në Drejtori të Burgjeve, mandat-pagesa prej 5 mijë lekësh, si dhe dy fotografi. Sipas udhëzimit të MAS, kandidatët do t’i nënshtrohen në fillim intervistës, e cila fillon më 19 dhjetor, dhe më pas testimit të informatizuar, i cili bëhet për herë të parë dhe do të zhvillohet në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimit në datën 22 dhjetor. Kritere për kandidatët janë: nota mesatare mbi 7, gjuha e huaj, si dhe dëshmia e licencës së ushtrimit të profesionit.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: