Sfida spektakolare ka ofruar Bundesliga këtë të shtunë me shumicën prej tyre që përfunduan barazim.

I tillë ishte dhe takimi kryesor i fundjavës, Bayern Mynih-Leipzig që u mbyll në një barazim 3-3.

Përmbysje pas përmbysjeje, por në fund me fat dolën bavarezët. Në fillim Nkuku kaloi miqtë në avantazh, por Bayern brenda 4 minutash përmbysi si shumë herë rezultatin  me Musiala dhe Muller.

I menjëhershëm ishte reagimi i Leipzig që barazoi me Justin Kluivert.

U duk se bavarezët do të hipotekonin në pjesën e dytë fitoren, por Leipzig u rikthye frikshëm në fushë duke u rikthyer në avantazh me Forsberg.

Sërish Bayern-it i duhej një ‘ujk i vjetër’, dhe Muller duket se nuk e ka humbur nuhatjen për golin duke shfytëzuar në mënyrë perfekte krosimin e ardhur nga krahu i djathtë.

Me këtë barazim Bayern mban kryesimin e Bundesligës, kurse Leipzig humbi shansin duke ngelur 2 pikë mbrapa. Në sfidat e tjera Dortmund u ndal në Frankfurt kurse po ashtu pikët u ndanë edhe në Freiburg- Gladbach apo Koln-Wolfsburg. E vetmja me 3 pikë nga kjo e shtunë doli modestja Arminia Bielefeld që mposhti Mainzin 2-1.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb