Partizani rikthehet shumë shpejt te fitorja, këtë e bënë në transfertë përballë Apolonisë, në një 90-minutësh fantastik me shumë raste për shënim. Të kuqtë e Ilir Dajës reagojnë pikërisht atëherë kur duhet, kjo ishte një fitore jetike për pjesën e mbetur të fazës së parë, një sukses që i jep më shumë besim ekipit të kuq. Në “Loni Papuçiu” dy ekipet zhvilluan një futboll të hapur, meritë kjo e vendasve që luajtën si të barabartë që nga minuta e parë, madje kërcënuan portën e Alban Hoxhës në disa momente. Solomon, vijon të mos ngjitet në asnjë moment në lartësinë e pritshmërive teksa edhe në këtë sfidë shpërdoroi disa raste, madje dhe me portën e boshatisur.

Në momentin më delikat të pjesës së parë, në minutën e 42-të, Eneo Bitri përfitoi nga një top i mbetur në zonë duke kaluar Partizanin në avantazh.

Në fraksionin e dytë, të besuarit e Ilir Dajës zbritën në fushë më të karikuar, duke gjetur shpejt edhe golin e qetësisë. Në minutën e 58-të, i harruar në zonë, Jurgen Bardhi me kokë realizoj golin e dytë.

Të kuqtë nuk e ulën në asnjë moment ritmin, goditën shtyllën me Carën ndërsa në minutën e 85-të Hektor Idrizaj hipotekoj shifrat në 0-3.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb