Klasikja e futbollit shqiptar, kjo sfidë shekullore, vijon të magjeps tifozët, nuk zhgënjeu as këtë herë teksa në mitikun “Loro Boriçi”, Vllaznia-Tirana dhuruan një 90-minutësh fantastik. Gola, VAR, shtylla, penallti e humbur, praktikisht gjithçka, në fund atë që festojnë sërish janë bardheblutë e Orges Shehit të cilët siguruan një fitore të madhe, një fitore me përmbysje që i afron gjithnjë e më shumë me titullin kampion. Vllaznia zhgënjen sërish duke shuar çdo ëndërr të çdo tifozi shkodran se mund të qëndronin në vallen e titullit.

Vllaznia kaloi e para në avantazh fal një goli të Aralica që në minutën e 6-të, pak suspancë me topin që kaloi vijën fatale. Në të 12-të, Aralica realizoi edhe golin e dytë, por VAR ndali festën e tifozëve të pranishëm duke anuluar gjithçka për pozicion jashtë loje. Në minutën e 31-të ishte Engjëll Hoti që goditi traversën duke i shkuar shumë pranë golit të barazimit për Tiranën, por vetëm një minutë më pas, Gjumshi prek topin me dorë në zonë. Gjyqtari Jorgji me ndihmën e VAR akordon penallti. Nga 11-metra distancë, Liridon Latifi nuk tregohet i saktë duke përplasur topin në shtyllën pingule.

Emocionet nuk përfunduan këtu pasi në minutën e 43-të me një skemë perfekte, Ismajlgeci realizoi një gol shumë të bukur për Tiranën duke barazuar shifrat në 1-1.

Bardheblutë zbresin më të karikuar në pjesën e dytë duke s postuar Vllazninë në gjysmëfushë, në minutën e 70-të me një aksion model, me një kundërsulm të shpejtë, Engjëll Hoti dërgoi topin në rrjetë duke bërë që në “Loro Boriçi” të pllakoste heshtja. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim në rezultat me Tiranën që merr një trepikësh të artë duke përforcuar edhe më shumë statusin e tyre si favorit absolut për të fituar titullin kampion.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb