Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi deklaroi mbrëmjen e sotme se ai ka përballë si rival vetëm Erion Veliajn, ndërsa është zgjedhur nga demokratët në këtë garë.

I ftuar në emisionin ‘Open’ në News24, Këlliç tha se fleta e votimit, për faktin se nuk do të garojë nën siglën e PD, pasi atë do e përfaqësojë Roland Bejko, është diçka teknike që ndodh në një kontekst jo të zakonshëm politik.

“Është një garë në kontest jo të zakonshëm politik. Moment i paprecedent në politikë, ku është bërë çmos që të goditet PD-ja. Vij si propozim i demokratëve. Në fletën e votimit do ketë kandidatura se janë zgjedhjet lokale. Në fletën e votimit do jetë emri im, krah 5 të tjerëve. Betejën e kam me Veliajn dhe do e fitoj garën. Jam çdo ditë në terren dhe s’më ka pyetur askush për logon e PD. Problemi është uji i pijshëm, rrugët, dhe kopshtet dhe çerdhet. Olldashi ishte si kandidat i koalicionit, po ashtu dhe Basha dhe zoti Kosova. Në këtë rast unë jam kandidat i një koalicioni. Të gjithë e dinë lidhjen time me PD. Po bëj një fushatë ku jam kandidat i të gjithëve. S’po përfaqësoj vetëm kandidatin opozitar, por dhe ata socialistë që janë të zhgënjyer. Do i bind me programin që kam. Rëndësi ka Belindi se me çfarë oferte vjen. E vetmja herë kur jam pyetur për zotin Basha, është për tramin. Unë nuk i ndaj qytetarët në të djathë e të majtë, jam këtu për të ulur koston e jetesës për qytetarë. Platforma ime për uljen e taksave e tarifave për biznesin e mesëm nuk është politikë e majtë, Bejko i referohet transportit falas që është mirëpritur nga qindra qytetarë. Që në thelb transporti nuk është falas sepse nuk i nxjerr unë paratë nga xhepi, thjeshtë paratë e taksave të qytetarëve nuk i çojmë për inceneratorët. Nuk jemi të varfër por të vjedhur.”, tha Këlliçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: