Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e sotme në Kavajë, e denjë për një skenar të filmave aksion, e cila përfshiu disa persona dhe çoi pas hekurave një 45-vjeçar si autorin kryesor.

Në rrugën dytësore, në afërsi të mbikalimit, shtetasi Astrit Pukameta është konfliktuar me dy shtetasit me iniciale V. K. dhe I. M. dhe i ka spërkatur me benzinë, duke tentuar t’i djegë.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se pas konfliktit me këta dy persona 45-vjeçari Pukameta, ka shkuar në një dyqan ku është konfliktuar dhe me shitësin e dyqanit, shtetasin Bardhyl Petja, dhe e ka plagosur me thikë. Petja rezulton kushëri i ish-gruas së Pukametës, me të cilin kishte një konflikt personal.

Në afërsi të dyqanit, nën kërcënimin e thikës, ka marrë peng shtetasin Arjan Shau bashkë me makinën e tij, dhe është larguar në drejtim të Rrogozhinës.
Në fshatin Lekaj, shtetasi Arjan Shau, peng i autorit, ka tentuar të devijojë makinën, dhe është futur në parkimin e një karburanti, dhe shtetasi Astrit Pukameka e ka plagosur me thikë.

Pasi kanë dalë nga makina, 45-vjeçari është afruar te vendqëndrimi i punonjësit të karburantit, ku i ka marrë shumën e xhiros ditore, rreth 1.2 mln lekë dhe në momentin që kanë arritur shërbimet e Policisë, ka kërcënuar se do digjte karburantin, por me ndërhyrjen e policisë është arritur të neutralizohet dhe më pas arrestohet.
Pukameta, akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vjedhja me dhunë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: