Rey Manaj u huazua te Spezia në limitet e merkatos me kërkesë të Tiago Motas. Trajneri sheh që skuadra e tij ka probleme në konkretizim. Vërtet janë shënuar 3 gola në 3 ndeshje, por vetëm një është shënuar nga sulmuesit.

Vetëm 1 pikë për Spezian në start duket keq dhe tani sytë janë nga sulmuesi shqiptar. Në humbjen ndaj Udineses, Rey Manaj qëndroi 90 minuta në stol, në ditën e parë që ishte me skuadrën e tij të re. Por duke nisur nga kjo javë, me siguri ai do të jetë në fushë, për të mos thënë titullar.

Bomberi kuqezi duket se e ka fituar betejën e fanellës me numrin 9. Lushnjari po kalon një formë të mirë, gjë që u pa edhe në ndeshjet e fundit të Kombëtares me golin e shënuar dhe rastet e pafundme që krijoi.

Mediat pranë skuadrës italiane shkruajnë se skuadra e Motës pret prej tij një numër golash me dy shifra, njësoj si edhe qendërsulmuesi tjetër, në mënyrë që Spezia të luajë shanset për të mbijetuar në Serinë A.

Të dielën Spezia do të luajë në transfertë me Venezian, një rival i drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë dhe Manaj mund të jetë çelësi për të marrë rezultat pozitiv, pse jo, fitore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb