*Ne pamje momenti kur Ksera nga Gjirokastra dergohet per ne Tirane
*Ksera: Arrestimi im, politik
*Policia e Shtetit detaje mbi operacionin e arrestimit
*Denoncimi i KLSH-së

TIRANË-Zhvillime te reja nga prokuroria dhe policia pati gjatë së shtunës, pas arrestimit të ish-ministrit të Punës, Spiro Ksera. Prokuroria paraqiti në gjykatë kërkesën për ‘arrest me burg’ për ish-ministrin e vënë në pranga, Spiro Ksera dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë e djathtë Spiro Ksera, është ndaluar të premten në mbrëmje nga policia pas një urdhëri të Prokurorisë së Tiranës.

Brenda 48 orëve, gjykata do të caktojë masën e sigurisë.

Hetimet për ish-­ministrin Ksera janë zhvilluar nga njësia Task-­Forcë pas kallëzimit të bërë nga KLSH.

Prangosja e Kseres

PROKURORIA E TIRANËS NXORRI URDHËR-NDALIMI PËR ISH-MINISTRIN KSERA
Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshime se ish-ministri Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili u ndalua mbrëmjen e së Premtes (dt. 29.01.2016), ka kryer veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” nëpërmjet procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore gjatë vitit 2013.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka zhvilluar hetimet në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në kuadër të veprimeve proceduriale, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ish-ministri Ksera, në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e Kabinetit, Klevis Bitro, si edhe me mbështetjen e disa zyrtarëve të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit.

Këto shuma financiare, ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar, ose janë realizuar me kosto shumë më të ulta nga ato që janë shënuar në dokumenta.

Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer, si më poshtë:

1-“Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”;

2- “Kapërceni paragjykimet-Njihni romët”;

3-“Ne sfidojmë të gjithë sëbashku”;

4-“Të ndryshëm, por të barabartë”;

5-Përfshirje sociale-Drejtësi sociale”

6-“Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.

POLICIA E SHTETIT
Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër-ndalimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke ndaluar shtetasin Spiro Ksera, ish-Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në kuadër të këtij procedimi penal, policia ka ekzekutuar urdhër-ndalimet e Prokurorisë edhe për disa ish-zyrtarë të Ministrisë që z.Ksera ka drejtuar.
Këta ish-zyrtarë janë vënë nën akuzë gjithashtu për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Në Prokurori është depozituar një kallëzim nga ana e Ministrisë së Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, ku bëhet fjalë për një investim prej 30 milionë lekësh që duhet të përdoreshin në favor të personave me aftësi të kufizuara, por që nuk janë përdorur për këtë qëllim.

Shtetasit e përfshirë në këtë procedim janë:

Spiro Ksera, 48 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish-ministër i PÇSHB, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Artevis Mene, 27 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish punonjës në Ministrinë e PÇSHB, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Elda Kozaj, 31 vjeç, lindur ne Fier dhe banuese në Tiranë, ish punonjëse në Ministrinë e PÇSHB, e dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

KSERA PAJTON AVOKAT GENC GJOKUTAJ
Mësohet se Ksera do të mbrohet nga avokati Genc Gjokutaj, i cili edhe e ka takuar ditën e sotme në polici klientin.
Takimi i Kserës me avokatin zgjati rreth 15 minuta.
Lidhur me akuzat e prokurorisë mbi eventet që nuk janë kryer, por për të cilat janë kryer financime, Gjokutaj u shpreh:
“Ksera si ministër ka dhënë urdhër të kryheshin eventet. Ai dha urdhrin të kryheshin eventet. Procedurat janë ndjekur nga stafi dhe personat përgjegjës. Ish-ministri nuk ka lidhje me atë se cfarë ka ndodhur”.

Po kështu, Gjokutaj u shpreh se dhe urdhër-ndalimi ndaj Kserës ka qenë i paligjshëm, pasi nuk është marrë në pyetje asnjëherë në 10 muaj hetime.
“Madje dhe urdhër-ndalimi nga prokuroria është i paligjshëm. Nuk ka rrethana rënduese, duhet të justifikohet ndalimi. Akuza nuk është për shkelje në tendera, por për shpërdorim. Në 10 muaj hetim, Ksera nuk është thirrur për t’i pyetur. Masa e sigurisë për Spiro Kserën mund të jepet të hënën”.

Genc Gjokutaj, avokati
gjokutaj

KSERA: ARRESTIMI IM, POLITIK
Por sipas Spiro Kserës, arrestimi me urdhër të Prokurorisë së Tiranës ka prapavijë të qartë politike dhe këto që thotë do të provohen.
Ksera është sjellë në Tiranë, por në ato që ka thënë në policinë e Gjirokastrës, Ksera ka deklaruar se “arrestimi është me prapavijë politike për shkak të fuqizimit të Partisë Demokratike në
zonën e Dropullit gjatë viteve të fundit.

Ksera u transferua gjatë natës drejt Tiranës. Mësohet se në automjetin që bëri shoqërimin e Kserës në policinë e Tiranës ka qenë edhe një prokuror.

Ne video momenti kur Ksera nga Gjirokastra dergohet per ne Tirane

Denoncimi i KLSH-së
Hetimet e prokurorise për ish-­ministrin Ksera janë zhvilluar nga njësia Task-­Forcë pas kallëzimit të bërë nga KLSH.
Auditi është realizuar për periudhën 1 prill 2011 deri më 30 shtator 2012.
Burimet bëjnë të ditur se dëmi ekonomik që ka shkaktuar Ksera kur ka qenë në detyrë kap shifrën e 30 milionë lekëve të reja. Ksera ka mbajtur postin e ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në kohën kur në qeveri ishte PD.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: