TIRANE– Kandidatja e Partisë Socialiste për këshillin bashkiak të Tiranës, Elisa Spiropali e sheh fushatën në kryeqytet, të frenuar nga ana e Erion Veliajt, për shkak të cilësisë së ulët, sipas saj, të kundërshtarit demokrat.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Spiropali i përgjigjet dhe akuzave të fundit mediatike ndaj saj për kohën që drejtoi Doganat shqiptare. Sipas saj akuzat ishin broçkulla të bërë nga shpifës anonimë që nuk ia vlen të merresh.

Pas lindjes së vajzës suaj Naltës, ju i jeni rikthyer sërish aktivitetit politik, duke u përfshirë në fushatë si kandidate për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. A ishte i parakohshëm ky rikthim, përderisa ju kishit deklaruar se tërhiqeshit nga detyra sepse kërkonit t’i dedikoheshit me kohë të plotë vajzës së porsalindur?
Aktivitetit politik do t’i kthehesha se politikane jam dhe në fushatë do përfshihesha se në kohë fushate jemi, dhe fushata është puna që duhet bërë. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që “të kthehem e të përfshihem” kudo dhe kurdoherë ku dhe kur detyra ma kërkon. Është gjëja më e natyrshme për cilindo njeri që ka marrë mbi vete përgjegjësi të kthehet dhe përfshihet nga një punë në tjetrën. Në këtë kuptim, “i kohshëm” apo “i parakohshëm”, “kthimi” apo “rikthimi” im, janë veprime mëse normale. Për më tepër që nuk vajta dhe as nuk u ktheva nga gjëkundi. Këtu isha, këtu jam, dhe këtu do jem. Kur kam thënë se do t’i dedikohem Naltës së porsalindur me kohë të plotë, me “kohë + të plotë”, nuk kam pasur parasysh të gjithë kohën nga lindja e Naltës deri në amshim, por aq kohë sa më duhej për të mëkëmbur Naltën dhe veten pas lindjes. Desh Zoti, kjo kohë nuk rezultoi e gjatë. Nalta gëzon shëndet të plotë dhe unë e kam marrë veten tërësisht. Në këto kushte nuk mund të rrija duarkryq, u përfshiva në fushatë.
Disa publikime në media flasin për një skandal, në të cilin janë përfshirë doganat shqiptare gjatë kohës që ju i drejtonit ato. Madje flitet dhe për një hetim të brendshëm të kësaj çështjeje. Cili është qëndrimi juaj rreth kësaj çështjeje?
Broçkulla. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Nuk kanë qenë “disa publikime” dhe nuk ka asnjë “çështje”. Ishte një shpifje nga të shumtat që fatkeqësisht i gjen rëndom nëpër portale kundër njerëzve që kryejnë me korrektësi detyrën. Kaq. Asgjë tjetër. Unë e lexova atë trillim të ndyrë. Ideja e parë që më erdhi në mendje ishte të shkoja drejt e në Prokurori për të bërë një padi penale. Por, pasi u mendova një çast, doli një vështirësi. Ndaj kujt ta bëja padinë?! Shpifësit fshihen. Për t’i gjetur shpifësit ku janë fshehur duhet kohë, duhet të jesh i ngeshëm. Unë nuk kam kohë të merrem me gjueti shpifësish që në kohë fushatash fshihen si minj nëpër rrëza, që rrëshqasin si ngjala e gjarpërinj nëpër batakë. Duke mos e njohur shpifësin i bie të bëj padi kundër një fantazme. Për më tepër, sa kam vënë re, të tilla padi, edhe kur funksionojnë, nuk është se japin ndonjë rezultat kushediç­ farë. Në rastin më të mirë, edhe po ta gjeja dhe denoncoja me emër fytyrën e pafytyrë dhe gjyqin ta fitoja, fantazma do më detyrohej një shumë parash. Shpifja e ulët e atij ose asaj dhe denoncimi im do të materializoheshin me një shumë parash marrë nga një gjarpër ose dhelpër që fshihet. Duke qenë materialiste, dhe si e tillë aspak e denjë, e braktisa këtë ide dhe u hodha në një tjetër. Mendova ta gjej dhe ta turpëroj, duke i hequr një grusht surratit mu në mes të mixhlizit maskarait shpifës. Do ishte një leksion i vlefshëm për trilluesin dhe mënyrë e mirë për mua për t’u hakmarrë. Por hoqa dorë edhe nga ky variant. Sepse mu duk teatral dhe shpifësit nuk pyesin për grushte surratit. Një ide tjetër që më erdhi në mendje, ishte ta gjej ferrën dhe lepurin që fshihet brenda asaj ferre, por të mos i bëj asnjë padi, të mos e godas me asnjë grusht, të bëj me të një bisedë edukative, t’i jap një leksion, për t’i shpjeguar disa gjëra, mbi rëndësinë e etikës, qytetarisë, si dhe mos bjerrjen e kohës me trillime dhe shpifje, por për punë. Kur edhe ky leksion mu duk sa i pamundur dhe i padobishëm për një trillues, të cilin askush nuk e mori seriozisht, vendosa shpifësin tim ta dënoj, jo me gjurmime lodhëse për ta gjetur se cili është, padi gjyqësore, apo duke e goditur me grusht, por ashtu si një shpifës meriton, me përbuzje. Për kureshtjen e lexuesit; Ka që thonë se shpifësi mund të jetë i Partisë Socialiste. Ndonjë inatçor, ndonjë hatërmbetur, ndonjë ziliqar. Nuk mund të jetë kurrsesi e vërtetë sa kohë i përkasim të njëjtës familjeje politike. Shpifësi s’ka se si të jetë as nga doganat. Për një arsye të thjeshtë; Sepse ata më mirë se kushdo e dinë si kanë qenë dhe si janë punët. Sidoqoftë, nuk mërzitem nga këto gjëra. Cilatdo të jenë problemet që dalin me shpifësit, i kam marrë parasysh si pjesë të problemit, qyshkur nisa të merrem me politikë.
Ju flisni për reformë të thellë në Doganë dhe një ndryshim të mentalitetit në funksionimin e tyre. Nga të dhënat dhe ajo që ju keni deklaruar në një intervistë në 17 muaj të drejtimit tuaj realizim i të ardhurave ka qenë mbi 99 për qind. Si shpjegohet që pas largimit tuaj të dhënat tregojnë për një rënie drastike të realizimit të të ardhurave në muajt mars-prill­maj në rreth 70 për qind, fakt që është bërë objekt sulmesh edhe nga opozita?
Këtë pyetje ndoshta duhet t’ia drejtoni drejtuesve aktualë të doganave. Kanë bërë disa dalje publike, ku analizojnë të dhënat e fundit, importet, volumet, vlerat dhe në përgjithësi, të dhënat e ekonomisë. Mund t’i pyesni edhe për të ardhurat. Ajo që unë di me siguri është që qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave kanë bërë dhe po bëjnë një përpjekje titanike për t’i vënë financat shqiptare në rrugë të mbarë dhe për të shëndoshur ekonominë sklerotike shqiptare, përmes disiplinimit fiskal dhe luftës kundër informalitetit.
Cila ishte situata që ju gjetët në doganë dhe si e latë atë?
Duke mos dashur kurrsesi të përsëris veten sepse i besoj kujtesës së publikut, mund të them pa modesti se doganën e gjetëm një fole të fshehtë korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi, dhe arritëm ta kthejmë rrufeshëm në drejtimin e duhur. Jo me fjalë, me vepra. Si e bëmë e tregojnë reformat, shifrat, statistikat, faktet. Reforma themeltare si ajo legjislative me miratimin pas 15 vjetësh të Kodit të ri Doganor, identik me Kodin e Bashkimit Europian, Reformën Administrative, Reformën e Procedurave, Reformën Antikorrupsion, Reformën në strukturat ligjzbatuese, reforma që ndryshuan tërësisht marrëdhënien me sipërmarrjen dhe publikun, si dhe i sollën buxhetit të shtetit plot 170 milionë dollarë më shumë të ardhura nga TVSH dhe Akciza.
Të kthehemi te zgjedhjet vendore, si e vlerësoni fushatën e Tiranës, e cila edhe pse nisi disi e qetë nga akuzat dhe personalizimi, nuk po i shmanget atyre?
E vërteta është se mund të bënim një fushatë më energjike. Arsyeja pse nuk po bëjmë një fushatë eksplozive, por deri diku të frenuar, është 1 dhe vetëm 1; avashllëku i kundërshtarit. Nuk është e udhës të harxhosh energji të tepërta me një kundërshtar, ndaj të cilit je dukshëm superior. Nëse mund të marr një shembull nga bota sportive, tabloja është pak a shumë kjo; Dy vrapues që garojnë rretheqark stadiumit. Njëri nga vrapuesit, Erioni, e lë pas vrapuesin tjetër, të themi 1 rrotullim e pak. Në këtë rast, nuk është çudi të ndodhë që një numër i spektatorëve, të cilët ndjekin garën, të konstatojnë vetëm distancën nga njëri garues te tjetri, por jo edhe super­avantazhin e 1 rrotullimi më tepër. I lumtë Erionit që kursen energjitë e tepërta të fushatës për punët e ardhshme që e presin, kur do fillojë garën e vërtetë me kohën. Tirana e ndarjes së re administrative është një parajsë e pakrahasueshme me asnjë vend që unë kam parë. E rrethuar nga male, e bekuar me fusha të buta pjellore, kodra që i rreh dielli 300 ditë në vit, Tirana mund të kthehet në një qytet të rëndësishëm mesdhetar. Njerëzit e lashtë ishin nomadë, lëviznin gjithë kohës, sipas stinës sipas kushteve, ndërronin shpellën, ndërronin luginën etj., me gjasa, në atë kohë nomadësh, të doje të qëndroje në një vend mund të konsiderohej aventurë, e ndoshta herezi. Ka shumë teori lidhur me arsyet pse njerëzit e lashtësisë dalëngadalë nisën të nguliten. Kadare thotë se nënat që lindnin, të cilave u duhej domosdoshmërisht të rrinin për ca kohë në të njëjtin vend, u bënë shkak. Të tjerë thonë se ku pati ujë, ku ishte ngrohtë, ku toka ishte pjellore, u formuan qendrat e para të banuara, që më kalimin e kohës u bënë qytete si këto që njohim sot, ku duhet të rrish në një vend, dhe po të lëvizësh jo se bën ndonjë aventurë apo herezi, por gjithsesi lëvizja nuk është aq e natyrshme sa ndejtja. Erioni ka përpara sfidën ta kthejë Tiranën në një qytet kompromisi të këndshëm mes komfortit të ndejtjes në një vend dhe kënaqësisë së çvendosjes. I ka të gjitha energjitë, talentin, përvojën, për ta materializuar këtë ëndërr.
A ka një ofertë të detajuar dhe të bashkëngjitur me faturën financiare për realizimin e saj?
Unë besoj në parimin se sa më e madhe të jetë një ëndërr, aq më e vogël është fatura që duhet të paguhet për ta realizuar. Por për të qenë e sigurt se ndoshta postulati i mësipërm ka dalë nga truri i nxehur i ndonjë idealisti të çartur, besoj më shumë në vendosmërinë e Kryeministrit Rama, për të çuar në fund ëndrrën e tij për transformimin e të gjitha qendrave shqiptare.
Rikthimi në fushatën elektorale, a do të thotë se ju mund të rinisni sërish kontributin tuaj në një pozicion drejtuesi shtetëror?
Unë do nis e rinis punë dhe do të jap e rijap kontribute për të mirën e vendit tim sa të kem frymë. Ku do i jap kontributet varet nga rendimenti që do kem dhe nga volumi i punës që do kryej.
Si duket Nalta?
Ndërkohë që shpifarakët po bëjnë posht’ e më posht’, Nalta po bën nalt e më nalt!

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: