TIRANË

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka dalë sot para mediave për të folur për deklaratat e eurodeputetëve, pjesë e delegacionit të PE dhe reagimet nga opozita.
Ajo tha se opozita po e bën copë Shqipërinë në sytë e botës, por se shqiptarët nuk e meritojnë. Spiropali theksoi se eurodeputetët folën troç dhe rrënuan pretendimet e opozitës.

“Njerëz të dëshpëruar që bëjnë gjëra të dëshpëruara. Sipas tyre Shqipëria qenka shtëpia e shqiptarëve dhe eurodeputetët qenkan turistë me vështrim të turbulluar. Ata po e bëjnë copë Shqipërinë në sytë e botës në skenat turpshme të goditjes me kokë të mureve të institucioneve. Gjynah! Shqipëria e shqiptarët nuk e meritojnë. Për hir të karrierës së Lulzim Bashës dhe frikës që ka nga drejtësia.
Sillet si ndonjë organizatë e PPSH në ndonjë fshat i humbur. Është momenti për të qenë bashkë dhe jo rasti për të bërë kamikazin që të hidhet në erë procesi i negociatave. Opozitën nuk e zgjedhim ne, jemi këtu për dorën e shtrirë”, deklaroi ministrja Spiropali.

Në emër të qeverisë Spiropali tha se ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që PE vazhdon ti japë vendit tonë që Shqipërinë e duan në shtëpinë e BE jo në oborrin e Lulzim Bashës.

“Eurodeputetët kanë kuptuar mirë çdo aspekt të progresit të vendit. E dinë se kemi shumë për të bërë. Delegacioni i tyre foli troç fare duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeveri tranzitore e zgjedhje ilegjitime. Nocioni i qeverisë është tranzitore i pajustifikueshëm. Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt normalitetit dhe progresit dhe e ardhmja e saj nuk mund të merret peng. I bëj thirrje kolegëve deputetë të reflektojnë”, theksoi Spiropali.

Deklarata e plotë:

Së pari, shpreh në emër të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit, keqardhjen që miqtë tanë nga Parlamenti Europian, të majtë e të djathtë, detyrohen përsëri të jenë dëshmitarë të të njëjtit konflikt që përsëritet në një formë të re, fatkeqësisht edhe më të papranueshme sesa më parë.​

U kërkojmë ndjesë atyre edhe për reagimet e papranueshme të ish-deputetëve të opozitës, të cilët, fatkeqësisht janë arratisur, jo vetëm nga detyra, duke tradhtuar zgjedhësit, por dhe nga terreni i të menduarit dhe të folurit normal, duke iu dhënë krahëve të dëshpërimit.

Njerëz të dëshpëruar që mendojnë në mënyrë dëshpëruese dhe bëjnë gjëra të dëshpëruara.

Sipas tyre, Shqipëria qenka shtëpia e shqiptarëve dhe miqtë e partnerët e këtij vendi qenkan turistë me vështrim të mjegulluar. Ndërkohë që shqiptarët na qenkan vetëm ata që po dëmtojnë konsumin dhe ekonominë e familjeve me pasigurinë e krijuar prej retorikës së dhunës e po e bëjnë copë Shqipërinë në sytë e botës me skenat e turpshme të goditjes me kokë mureve të institucioneve.

Gjynah vërtetë! Gjynah, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë shfaqje konfliktualiteti dëmtues, për hir të karrierës së Lulzim Bashës që i trembet humbjes së zgjedhjeve të radhës për hir të frikës nga drejtësia që ka udhëheqja e opozitës.

Gjynah, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë që në vitin 2019 opozita e tyre të flasë si të ishte viti 1919 dhe të sillet me miqtë e partnerët e këtij vendi si të ishte një organizatë e PPSH-së në ndonjë fshat të humbur.

Gjynah, sepse kjo është koha për të qenë bashkë kur vjen puna tek qëllimi kombëtar i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian dhe jo rasti për të bërë kamikazin që të hidhet në erë procesi i negociatave!

Sidoqoftë, opozitën nuk e zgjedhim ne dhe ne jemi këtu për të mbajtur dorën e shtrirë ndaj saj edhe pse sot për sot ajo është marrë peng nga disa persona që e kthyen grupin opozitar në parlament në një grup të arratisurish nga detyra.

Ndërkohë që ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që Parlamenti Europian vazhdon t’i japë vendit tonë dhe i falënderojmë eurodeputetët e djathtë dhe të majtë, pa asnjë dallim, për qëndrimin e tyre pa asnjë ekuivok në anën e shqiptarëve që shtëpinë e përbashkët e duan ne Bashkimin Europian, jo në oborrin e Lulzim Bashës apo të Monika Kryemadhit.

Përmes misioneve raportuese dhe mbikëqyrëse, po aq sa vetë Komisioni, i cili pa u ndalur ka vëzhguar me lupë dhe analizuar me themel procesin qeverisës dhe reformat në Shqipëri, eurodeputetët kanë kuptuar mirë çdo aspekt të progresit të vendit. Ata e dinë se ne kemi ende shumë për të bërë, por nuk impresionohen nga propaganda e çartur opozitare dhe nga fabulat mediatike me skandale e përmbysje imagjinare.

Delegacioni i tyre foli troç fare, duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeverira tranzitore, parlamente jo legjitime, nënvizuan nevojën për vazhdimin e jetës parlamentare dhe zëvendësimin ligjor të të arratisurve, duke ndarë me publikun disa të vërteta shumë të thjeshta.

Parlamenti dhe qeveria janë zgjedhur me votë dhe problematika e zgjedhjeve nuk e vë në asnjë diskutim rezultatin e tyre. Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nocioni i qeverisë tranzitore është i pajustifikueshëm.

Përgjimet iu takojnë gjykatave, jo Parlamentit. Bojkoti, dhuna dhe djegia e mandateve janë të papranueshme. Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt normalitetit dhe progresit dhe e ardhmja e saj nuk mund të merret peng.

Duke e mbyllur, iu bëj thirrje ish-kolegëve deputetë të reflektojnë dhe të mos humbasin më shumë se ç’kanë humbur, jo se më shqetëson humbja e tyre, por sepse kjo që ata bëjnë në rrugën e humbjes së tyre nuk është e mira e kësaj shtëpie të përbashkët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb